Tre koncesionet e famshme në shëndetësi, të dhëna 10 vite më parë, afati i të cilave ka përfunduar dhe me letra duhet të menaxhohen nga vetë shteti, po sjellin një tjetër dosje të denjë për Prokurorinë e Posaçme. Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore ka marrë në dorë hemodializën, sterilizimin dhe kontrollin bazë të popullsisë, ndërkohë që edhe pas shtetëzimit, sërish paratë e prokuruara nga ky ent publik po kanalizohen te të njëjta duar.
Gjithçka nisi me sterilizimin, ku megjithëse një pjesë e mirë e ish-zyrtarëve shtetërore janë vënë nën akuzë, sërish Operatori i ka dhënë tenderat “shokëve” të tyre, të cilët pasi ikën nga firma koncesionare hapën kompani. Ndërkohë, e njëjta situatë ndodhi edhe me hemodializën, ku firma që menaxhoi për 10 vite shërbimin dhe mori nga shteti një shumë rreth 90 milionë euro, fitoi tenderin prej rreth 50 milionë eurosh.
I njëjti Operator shtetëror, i cili pavarësisht lëkundjeve të ndryshimit ministres së shëndetësisë, ka në “dorë” disa tendera për kontrollin bazë të popullsisë, të hapura disa javë më parë.
Dokumentet e hulumtuara nga mediat tregojnë se paratë pritet të kanalizohen sërish te firmat që kanë pasur koncesionin, ndërkohë që shuma totale e tenderuar deri më tani është plot 18 milionë euro. Kërkesat e veçanta të vetë shtetit duket se i përshtaten më së miri firmës që menaxhoi këtë shërbim, mjaft të debatuar, duke qenë se të gjitha strukturat e shtetit u vunë në shërbim të privatit.
Prej gati një dekade, kompania “3p Life”, me pronare biznesmenen Vilma Nushi, mori nga shteti një shumë prej rreth 100 milionë eurosh për kontrollin bazë të popullsisë, ose sicc njihej ndryshe check up. Kompania duhet të linte trashëgimi laboratorët mjekësore në shumë qytete të Shqipërisë, ndërkohë që pas shtetëzimit, këtë shërbim e ka marrë në “dorë” Operatori i Shërbimeve të Integruara Shëndetësore.
Në tenderin e fundit, ky Operator ka vendosur disa kritere që i përshtaten totalisht firmës koncesionare. Një ndër kriteret është “kapaciteti ekonomik dhe financiar”.



