Ilir Kulla jep një lexim alternativ të ngjarjeve të 10 viteve të fundit

spot_img
Advertisements

Nga Ilir Kulla

1.

Asnjëherë Shqipëria nuk mban mend që protestat të jenë bërë në stinën e verës. Përkundrazi, protestat, në çdo kohë, janë bërë në dimër, para pranverës, në të ftohtë, në akull, me kohën gri dhe me njerëzit e dëshpëruar apo të pakënaqur.

Kështu ka qenë në vitet ’90-’91, kështu ka qenë në ’92-shin, në ’97-ën, madje edhe me “Nano ik” në vitin 2004. Kështu ka qenë te mbikalimi i Zogut të Zi, ku ra dhe u mbyt në një gropë me ujë të ftohtë veterani Mhill, babai i poetit të ndjerë Agim Doçi, i cili protestonte kundër partisë që mbështeste Agimi, PD-së së Berishës.

Kështu ndodhi edhe në janar të vitit 2011, kur u vranë katër protestues në bulevard. Kështu ndodhi kur opozita iku nga Parlamenti në vitin 2019; më 2 mars 2020, kur Presidenti organizoi një protestë shumë të madhe kundër qeverisë; kur opozita u mbyt me gaz lotsjellës në dhjetor të vitit 2020, atëherë kur një polic vrau një të ri te dera e shtëpisë së vet, në një rrugicë të Laprakës; kur “Doktori i Madh” filloi “Revolucionin” kundër Lulit në stadiumin “Qemal Stafa”; kur kërciti leva e qysqia te SHQUP-i, e kështu me radhë.

Kjo është hera e parë që protestat fillojnë me fillimin e verës dhe vazhdojnë gjatë gjithë stinës, në mes të nxehtësisë 40 gradë, në qendër të Tiranës. Protestën nuk e prishi Botërori, nuk e shkatërruan pushimet, asgjë.

Madje, kjo është protesta e parë në 36 vjet që nuk kërkon as të marrë pushtetin. Kërkon vetëm që ata që e kanë dhe ata që e kanë pasur pushtetin të shkojnë në burg.

Ja, mbërritëm edhe në këtë ditë të historisë sonë demokratike: askush të mos e dojë pushtetin!

2.

Po si mbërritëm në këtë pikë?

Fiks dhjetë vjet më parë, në verën e nxehtë të vitit 2016, si asnjëherë tjetër në historinë tonë, u bë një “megaorgji” parlamentare me 140 vota, si te kënga e këngëtares nga Kosova, Gilit: “Le të puthen, le të puthen, demokratë e socialistë”.

Në fakt, u puthën vetëm Donald Lu dhe Romana Vlahutin!

Kishin të drejtë të putheshin. Sapo ishte realizuar një grusht shteti unik, me votat e atyre ndaj të cilëve po bëhej grushti i shtetit: deputetëve të Republikës. Me kartonët e tyre, ata kishin dhënë me PPP — shumë në modë në atë kohë — një nga sektorët më të rëndësishëm të shtetit dhe jetik për ruajtjen e demokracisë: Sistemin e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë.

Gjithsej jo më shumë se 1.500 veta, në të gjitha shkallët, ishin kthyer tashmë në një qeveri vetëqeverisëse të sistemit të tyre, unik në botë, që nuk do t’i jepte llogari as Qeverisë, as Parlamentit, as Presidentit, madje as medias. Këta të fundit e kuptuan pas dhjetë vjetësh.

3.

Po si u realizua e gjithë kjo histori e bukur, që ngjan me filmin “Rrobaqepësi i Panamasë”?

Në fillim, viktimat ishin disa nga ata brenda sistemit, si ish-Prokurori i Përgjithshëm, i cili u dënua për mosdeklarimin e plotë të vlerës së një apartamenti plazhi në Durrës. Pastaj erdhi ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese. Ky apartamentin e kishte pasur në Golem.

Turma nuk u kënaq me gjak. Duhej më shumë gjak për turmën…

Këtu pastaj u ndanë në batalione ata që kishin bashkuar 140 votat me njëri-tjetrin dhe tani çonin padi kundër njëri-tjetrit.

Në fillim, prej tyre ra dëshmor “Doktori i Lavdishëm”. U akuzua për shtëpitë e dhëndrit, ndërsa vetë, vetëm falë moshës, përfundoi duke bërë për një vit të tërë xhiro në tarracën e pallatit për të marrë ajër të pastër. Prej andej akuzonte Edi Ramën, me të cilin ishte “puthur” kur kishin bërë 140 votat në vitin 2016, ndërsa në darkë mblidheshin rreth 100 veta dhe bënin miting qëndrese poshtë shtëpisë së Doktorit.

Pastaj “miletit”, që donte gjak, iu servir ai i zëvendëskryeministrit, të cilin mileti e njihte me pseudonimin “Tigri”. Ky i fundit u akuzua për shtëpitë e grave të tij. Si gjirokastrit që ishte, nuhati edhe kurthin që po i bëhej, edhe faktin që shumë brenda llojit po kënaqeshin me shkatërrimin e tij, ndaj iku në Zvicër. Prej andej vazhdon të hedhë mina me sahat kundër qeverisë dhe mazhorancës ku kishte qenë vetë, si edhe kundër atyre që ishin kënaqur me shkatërrimin e tij.

Pastaj iku Presidenti, ai që i kishte bërë bashkë ato 140 vota kur ishte Kryetar i Kuvendit dhe mburrej me këtë fakt. Madje, atë e morën me forcë dhe me spektakël, meqë kishte bërë “të fortin” dhe kishte denoncuar “Mafien Ndërkombëtare”. Atë e akuzuan për shtëpinë e gruas.

Nuk mbaruan me kaq, por filluan të merreshin edhe me avokatin “më të madh” të Reformës, Kryetarin e Bashkisë.

Pasi i bënë për një vit protesta poshtë zyrës, me një koalicion “jozyrtar” Belo-Bela, e morën me letra anonime të koalicionit Nesti-Nasta, nëpërmjet një superspektakli, ndërsa gazetarët po e prisnin jashtë zyrës.

Nuk mbaruan as këtu. Meqë Kryetari i Bashkisë është një tip shumë mediatik, ia shpalosën të gjitha “hiret” e fisit të gruas: nga shtëpia në plazh e vjehrrit, deri te të brendshmet e familjarëve.

Madje, për ta torturuar edhe më shumë psikologjikisht, e shkarkuan, por një dorë e ngrohtë e “Zotit” e ruajti dy herë në Gjykatën Kushtetuese, duke i dhënë të drejtë. Kështu, mbeti edhe në detyrë, edhe në paraburgim.

Këtë verë pata një ftesë nga Albano Carrisi, këngëtari i famshëm dhe miku im, në shtëpinë e tij në Brindizi. Disa miq të tij po më thoshin:

“Sa e bukur Tirana, sa e zhvilluar, sa teknologjike! Bravo ai që e ka bërë, bravo, bravo!”

“Ja pati!”, u thashë unë, “por ai që e bëri këtë është në burg dhe, me sa di unë, prej një viti e gjysmë as rrogën nuk ia kanë dhënë ata që la pas në zyrë.”

Më në fund, me sa duket, i ka mbërritur era e papastërtive që nuk pastrohen më në Tiranë dhe e kaosit. Vendosi të ndryshojë disa gjëra të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës.

Lexova disa që thoshin: “Kryetari Veliaj po bën grusht shteti në Bashki”…

Qeshja me vete. Këtij vetëm nëna e vet, 70 e kusur vjeçe, i ka mbetur tërësisht besnike. Ky, në të vërtetë, është shprehja më origjinale e asaj që ka ndodhur gjatë këtyre dhjetë vjetëve të shpejtë në Shqipëri.

Mbaruan me Kryetarin dhe mbetej vetëm njëra në radhë: zëvendëskryeministrja. Ajo që para një viti dukej si njeriu më i pushtetshëm në vend, sot përballet me akuza sikur të kishte kryer krime lufte, jo punë publike.

Por edhe zonja në fjalë i ka bërë hyzmet kësaj loje me ruletë ruse të politikës ndaj vetes: herë në luftën brenda llojit kundër Bashkisë, herë brenda partisë dhe qeverisë.

Duket sikur të gjithë ata që rrethojnë të vetmin që ka mbetur, të fundmin e Mohikanëve, janë të destinuar të kenë një fund të lodhshëm dhe të vështirë.

Ndërkohë, vetë ai, i fundmi i Mohikanëve, po merret me “Besën”, gjetjen e tij të fundit.

Sot kishte dalë në krah të atij që, deri para një viti, e quante “Gjeli i Detit i Peqinit”. Para një jave postoi atë që, deri para ca kohësh, ishte zëdhënësja e PD-së dhe e quante “Kryeministri i Kokainës”.

Si akt i fundit ishte edhe rënia e “dëshmorit të fundit” te Plepat e Durrësit, e atij zëvendëskryeministrit në hije, të cilin ish-zëvendëskryeministri jo në hije e quante “koordinatori i krimit”.

Si përfundim, në fillim të kësaj vjeshte të nxehtë kemi përsëri ata që duan t’i çojnë në burg njerëzit që janë në pushtet, por nuk duan të vijnë vetë në pushtet. Kemi në burg ata që e çuan vetë veten në burg, pavarësisht se duhet të ishin në punë dhe në shtëpi.

Kemi stuhinë perfekte të kaosit perfekt, ku, në perfeksionin më të madh të epokës digjitale, edhe më e zhurmshmja, Zeqineja, ka mbetur pa fjalë dhe po hesht.

Kur të rritet edhe pak, dikush do t’i dhurojë me autograf librin:

“Flamingo Revolution: Ky grusht shteti perfekt”.

spot_img

Latest articles

Related articles