Kurti e Abdixhiku bien dakord në parim për emrin e presidentit të Kosovës

spot_img
Advertisements

Prof. dr. Bekim Sejdiu i bën nder Kosovës si President i Republikës

Me sa duket, ka një pajtim mes dy partive (VV dhe LDK) që Bekim Sejdiu të jetë kandidat konsensual për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Ky është, sipas mendimit tim, një lajm shumë i mirë.

Zgjedhja e presidentit elektrizon dhe bën kureshtar shumë njerëz. Dhe kjo është e kuptueshme. Është njeriu që e përfaqëson shtetin në nivelet më të larta për pesë vjet.

Bekim Sejdiu do ta përfaqësonte Kosovën në mënyrë dinjitoze. Për këtë ai është jo vetëm i përgatitur mirë profesionalisht, por ka edhe një përvojë të gjatë e të respektueshme si shërbëtor lojal i institucioneve të Kosovës.

Duke qenë pjesëtar i «brezit të Republikës», siç i quante dr. Ibrahim Rugova në vitet ’90 djemtë dhe vajzat e Kosovës që, në kushte të rënda, nuk u dorëzuan, Bekim Sejdiu nisi rrugën e studimit të jurisprudencës në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua si jurist. Më pas përfundoi me sukses dy magjistratura: në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Bilkentit (2005), si dhe në fushën e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut në Universitetin e Sarajevës dhe në Universitetin e Bolonjës (2001). Doktoroi në fushën e studimeve ndërkombëtare dhe diplomatike në Nova Univerza, në Slloveni, një universitet i njohur për studime të qeverisjes dhe të çështjeve evropiane. Aktualisht është profesor në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Si gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, dr. Bekim Sejdiu ka mbajtur qëndrime parimore. Për shembull, më 2015, ai hapur dhe përmes një mendimi mospajtues kundërshtoi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilin e quajti etnocentrik, të papërputhshëm me rendin kushtetues të Kosovës dhe në kundërshtim me parimet themelore të Kushtetutës.

Si diplomat dhe ambasador karriere, dr. Bekim Sejdiu e ka përfaqësuar Kosovën si ambasador në Ankara (2008-2012) dhe si konsull i përgjithshëm në New York (2012-2014). Kjo ishte faza kur Kosova mori shumicën e njohjeve ndërkombëtare, falë mbështetjes së SHBA-së dhe BE-së, por edhe punës së diplomatëve si Bekim Sejdiu e të tjerë.

Si në Ankara, ashtu edhe në New York, Bekim Sejdiu është nderuar nga shtetet mikpritëse për punën e tij: me Dekoratën e Asamblesë së Shtetit të New Yorkut, me Çelësin e qytetit Worcester (Massachusetts, SHBA) dhe me Medaljen nga Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Turqisë. Falë angazhimit të tij në New York, ai është ndër diplomatët kosovarë më të respektuar nga lobi i rëndësishëm shqiptaro-amerikan.

Me këto virtyte, Bekim Sejdiu është një demokrat i përgjegjshëm, një personalitet publik që e di mirë vlerën e lëvizjeve politike e ushtarake për çlirimin e Kosovës dhe të shtetndërtimit, që arriti kulmin me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.

Me natyrën e tij përbashkuese, me prirjen për të ndërtuar ura në mbrojtje të interesit publik dhe shtetëror, si dhe me kureshtjen e tij intelektuale, Bekim Sejdiu do ta avanconte nivelin e përfaqësimit të Kosovës edhe në arenën ndërkombëtare.

Deputetet dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës të të gjitha partive do t’i bënin një shërbim shtetit me zgjedhjen e tij në postin e Presidentit.

nga Enver Robelli

spot_img

Latest articles

Related articles