Policia austriake është në kërkim të dy burrave të dyshuar se kanë vjedhur një gjerdan platini 200-karatësh të zbukuruar me 673 diamante, i cili ishte huazuar në një muze në Vjenë dhe dikur i përkiste familjes mbretërore egjiptiane.
Autoritetet në kryeqytet publikuan fotografi të të dyshuarve të kapur nga kamerat e sigurisë gjatë grabitjes në Muzeun e Arteve të Aplikuara. Burrat e pamaskuar blenë bileta për ekspozitën përpara se të thyenin një vitrinë qelqi me çekiç gjatë orarit të hapjes të enjten pasdite dhe të iknin me vrap me gjerdanin me diamant.
“Autorët e krimit ikën me bizhuteritë në një drejtim të panjohur” – tha policia. Oficerët u shpërndanë nëpër qytet dhe përdorën një qen gjurmues për të kërkuar të dyshuarit. Gazeta “Kronen” raportoi se hetuesit besonin se burrat ndoshta po kryenin një “punë me kontratë” në emër të një bande kriminale.
Muzeu deklaroi se vepra ishte rrëmbyer nga një ekspozitë bizhuterish që kishte qenë në shfaqje që nga qershori, ku shfaqeshin më shumë se 300 vepra nga stilistët francezë Van Cleef & Arpels. Askush nuk u lëndua, megjithëse kishte disa dëshmitarë në dhomë në atë kohë.
Gjerdani i përkiste Mbretëreshës Nazli të Egjiptit, e cila e mbajti atë në dasmën e vitit 1939 të vajzës së saj Fawzia me princin e atëhershëm të kurorës së Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, i cili më vonë u bë shah. Mbreti i Egjiptit i asaj kohe ishte Faud I që kishte origjinë shqiptare




