Sot, Mbretëria e Bashkuar ka arritur një marrëveshje të rëndësishme me palën shqiptare, e cila, në fakt, kërkohej prej kohësh: atë për rikuperimin e një pjese të pasurive të konfiskuara në Shqipëri të grupeve kriminale, aktiviteti i të cilave është zhvilluar në Angli.
Kjo është, në fakt, një marrëveshje e drejtë, për shkak se krimi shqiptar ka krijuar një faturë në këtë vend (varësi, dhunë, procese hetimore dhe administrative). Por më i rëndësishëm është fakti se kjo marrëveshje i hap rrugën edhe vendeve të tjera që të kërkojnë të njëjtën gjë: kalimin e të ardhurave të konfiskuara te vendet ku aktiviteti kriminal është kryer.
Ndaj, është e rëndësishme që pala shqiptare të përshpejtojë krijimin e një plani për administrimin efektiv të pasurive të konfiskuara të krimit. Përndryshe, përveç reputacionit të keq, Shqipërisë do t’i mbetet të subvencionojë nga buxheti edhe kostot e mbajtjes së tyre nëpër burgje.



