Shkoi në Berat për të parë gjininë e fëmijës, kapet nga FNSH personi që tentoi të vriste Gucci-n e TikTok

spot_img
Advertisements

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit kanë arrestuar mbrëmjen e djeshme në qytetin e Beratit, Bledar Çunin, person ky i shpallur në kërkim për “Vrasje të mbetur në tentativë” ndaj Fabion Kuçit, që njihet si personazh i njohur i Tik-Tok-ut me emrin “Guçi”.

35-vjeçari Çuni rezulton i shpallur në kërkim për ngjarjen kriminale të regjistruar në muajin dhjetor 2025, pasi në qytetin e Durrësit, së bashku me disa persona të tjerë si Fabjan Brahja dhe L.B., kanë goditur dhe plagosur me armë zjarri të riun Fabion Kuçin.

Mësohet se policia kriminale e Durrësit dhe ajo e Beratit kishin marrë informacion në rrugë operative se personi në kërkim, Bledar Çuni, ndodhej në ambientet e një lokali në qytetin e Beratit.

Çuni kishte shkuar në Berat për të parë gjininë e fëmijës së bashkëshortes së tij dhe për këtë gjë ishte organizuar dhe një festë familjare dhe shoqërore në ambientet e lokalit.

Por, pas mbarimit të festës, oficerë të policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, të ardhura nga Fieri në Berat, kanë bërë arrestimin e Bledar Çunit, duke e shoqëruar më pas në ambientet e policisë.

Çuni nuk ka mundur të bëjë asnjë rezistencë, ndërsa makina e tij dhe e disa personave është kontrolluar nga policia e Beratit për prezencën ose jo të armëve dhe sendeve të tjera të paligjshme, por pa rezultat. Pritet që ditën e sotme ai të dërgohet në policinë e Durrësit për të dalë më pas para gjykatës, me qëllim rivlerësimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”.

Ndërkohë, më parë në zonën e Kamzës, policia e Durrësit arrestoi bashkëpunëtorin e tij, Fabjan Brahja, i cili është ndaluar në muajin maj 2026, brenda banesës së tij në Kamëz.

Sipas dosjes hetimore të Prokurorisë së Durrësit, njeriu që ka qëlluar me pistoletë, duke sjellë plagosjen e Kuçit, dyshohet të jetë pikërisht Bledar Çuni, një personazh ky me precedent të mëparshëm penal dhe i ndaluar disa herë nga policia kriminale e Durrësit për akuzën e “Tregtimit dhe trafikimit të drogës”, si dhe “Mbajtjes pa leje të armëve”.

Pamjet filmike të sekuestruara nga policia dhe prokuroria tregojnë qartë Bledar Çunin që qëllon me armë ndaj Fabion Kuçit, megjithëse ky i fundit përpiqet të fshihet pas banakut të lokalit.

Siç duket dhe në pamjet filmike, goditja nga Bledar Çuni drejt Kuçit është kryer me armë zjarri dhe me një karrige metalike. Kuçi ka marrë dëmtime serioze në njërën këmbë, ndërsa Bledar Çuni, së bashku me dy persona të tjerë, janë larguar.

Çuni dallohet qartë që mban në kokë një kapuç, por fytyra e tij është totalisht e zbuluar. Në njërën dorë mban një armë zjarri pistoletë, si dhe kryen veprime të dhunshme ndaj Fabion Kuçit, alias “Guçi”, dhe ambienteve të tjera të lokalit.

Sipas pamjeve filmike, në total janë dy persona që në duar mbajnë armë zjarri, ku njëri është me xhupin e bardhë dhe tjetri është me xhupin e zi. Rrahja dhe plagosja e Fabion Kuçit jo vetëm që ka ndodhur para kamerave të lokalit, por është filmuar me telefon nga personi me xhupin e bardhë.

Çështja vijon të jetë nën hetim, ndërsa dosja vijon të pasurohet me prova të reja kundër Bledar Çunit, pasi ka dëshmuar i dëmtuari Fabion Kuçi, që jo vetëm e ka identifikuar Çunin, por pamjet filmike tregojnë qartazi atë si pjesëmarrës në këtë krim të rëndë.

Ndërkohë, shkak për ndodhjen e kësaj ngjarjeje mësohet të jenë bërë sharjet dhe fyerjet mes dy personave në rrjetin social “Tik-Tok”.

spot_img

Latest articles

Related articles