Si mund të dalë e djathta shqiptare nga kriza dhe të vijë në pushtet!

spot_img
Advertisements

nga Gjergji Nika

E djathta shqiptare ndodhet përballë një prej sfidave më të mëdha të saj politike. Pas disa humbjeve radhazi, kriza nuk mund të shpjegohet vetëm me faktorë të jashtëm apo me mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve. Për të rikthyer besimin e qytetarëve, opozita duhet të bëjë një analizë të thellë të vetvetes dhe të ndërtojë një alternativë të besueshme qeverisëse.

Së pari, e djathta duhet të kalojë nga një opozitë që fokusohet kryesisht te kundërshtimi i qeverisë në një forcë që paraqet një alternativë konkrete për Shqipërinë. Mesazhi “Rama duhet të ikë” nuk mjafton më. Qytetari kërkon të dijë çfarë do të ndodhë ditën pas ndryshimit dhe si do të përmirësohet jeta e tij. Prandaj opozita duhet të ndërtojë një program të qartë për ekonominë, punësimin, pagat, arsimin, shëndetësinë, pronën dhe zhvillimin e vendit.

Një tjetër kusht i domosdoshëm është bashkimi i së djathtës. Fragmentarizimi i opozitës është një nga dobësitë kryesore të saj. Duhet ndërtuar një front i gjerë i qendrës së djathtë, ku të bashkohen partitë opozitare, profesionistët, sipërmarrësit, intelektualët, të rinjtë dhe diaspora. Ky bashkim nuk duhet të jetë vetëm elektoral, por të mbështetet mbi një projekt të përbashkët qeverisës.

Në të njëjtën kohë, e djathta ka nevojë për një gjeneratë të re me përvojë politike. Përvoja e figurave historike duhet të kombinohet me energjinë dhe profesionalizmin e njerëzve të rinj. Ekonomistë, juristë, menaxherë, inxhinierë dhe profesionistë të fushave të ndryshme duhet të jenë pjesë e ekipit që do të marrë përgjegjësinë për qeverisjen e vendit.

Ekonomia duhet të jetë në qendër të këtij projekti.
Liria ekonomike, prona, sipërmarrja, ulja e barrës fiskale, investimet e huaja, prodhimi vendas, bujqësia dhe turizmi duhet të shndërrohen në shtyllat e një modeli të ri zhvillimi. Shqipëria ka nevojë për një shtet që i shërben ekonomisë dhe qytetarit, jo për një administratë të korruptuar dhe politizuar.

Po aq e rëndësishme është meritokracia. Administrata publike duhet të funksionojë mbi profesionalizmin dhe jo mbi militantizmin. Qytetari duhet të besojë se ndryshimi politik do të sjellë edhe ndryshim real në mënyrën se si funksionon shteti.

Opozita duhet gjithashtu të dëshmojë aftësinë e saj për të qeverisur edhe përmes pushtetit lokal. Bashkitë ku ajo drejton dhe ku këshilltarët bashkiak janë superior duhet të shërbejnë si modele të transparencës, menaxhimit financiar, investimeve dhe shërbimeve publike. Një qeverisje lokale e suksesshme është prova më e fortë për një alternativë kombëtare.

Në fund, e djathta ka nevojë për një strategji afatgjatë dhe jo për reagime politike nga një krizë në tjetrën. Duhet riorganizim, hapje ndaj shoqërisë, forcim i strukturave, përgatitje e një ekipi qeverisës dhe një program që qytetari mund ta kuptojë dhe ta besojë.

E djathta shqiptare nuk do të vijë në pushtet vetëm duke denoncuar qeverinë. Ajo do të vijë në pushtet kur të bindë shqiptarët se ka një alternativë më të mirë për të qeverisur vendin.

Formula është e thjeshtë: bashkim, gjeneratë e re, meritokraci, ekonomi e lirë, qeverisje profesionale dhe një projekt konkret për Shqipërinë.

E djathta duhet të kalojë nga “opozitë kundër Ramës” në “alternativë për Shqipërinë”. Vetëm atëherë ndryshimi politik mund të kthehet nga një dëshirë në një realitet.

spot_img

Latest articles

Related articles