Aksionet e 4iG, grupit hungarez që zotëron kompaninë One Albania, ranë me 14.5 për qind këtë të hënë, pas deklaratave të kryeministrit hungarez Peter Magyar, që e cilësoi atë si nënën e oligarkisë në Hungari dhe thesarmbajtëse e mafias.
Në bursën hungareze, çmimi i aksioneve të 4iG ranë nën 1590 forinta në mbyllje nga 1790 që u çel tregtimi. Ndërkohë në 5 ditët e fundit kompania ka humbur mbi 18.5 për qind të vlerës, ndërsa krahasuar me fundin e vitit të kaluar vlera e saj ka rënë me tre herë.
Tronditja e fortë e 4iG pritet të ketë reperkursione edhe në tregun shqiptar. One Albania, kompania e cila zotërohet 100 për qind nga 4iG është e ekspozuar masivisht me kredi në sistemin bankar shqiptar. Njëra nga këto kredi në rangun e 40 milionë eurove sapo u nënshkrua pak javë më parë.
Në Hungari, mediat afër partisë në pushtet kanë pohuar se 4iG mund të falimentojë për shkak se qeveria e re është e vendosur që të ekspozojë çdo aferë korruptive të saj dhe të tërheqë të gjithë mbështetjen financiare shtetërore që kompania e ngritur nga hicci ka patur nga qeveria e Viktor Orban.
Madje, këto zëra u përforcuan edhe nga një artikull i Bloomberg, që e cilësonte 4iG si një nga grupet oligarkike më të rrezikuar nga falimentimi. Nëse këto parashikime do të materializohen, atëherë Shqipëria do të ketë një problem të ri ekonomik. Tronditjen e One Albania, kompanisë së duopolit celular, dhe pasojat që kjo mund të ketë në sistemin financiar.



