Ish-numri dy i Hipotekës së Tiranës, Shkëlzen Betaj, është shndërruar brenda pak vitesh në një nga emrat që shfaqet pas projekteve të mëdha të ndërtimit në kryeqytet. Nga zyrat ku dikur kalonin dosjet e pronave, sot Betaj ka kaluar te kullat shumëkatëshe, kompanitë e ndërtimit dhe investimet që kërkojnë miliona euro.
Kompanitë e lidhura me Betajn janë relativisht të reja, kapitalet e regjistruara janë modeste, ndërsa projektet ku ato shfaqen kanë një përmasë të madhe financiare.
Shkëlzen Betaj ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të Hipotekës së Tiranës, një institucion që për vite me radhë ka qenë në qendër të tregut të pronave në kryeqytet. Në atë detyrë ai kishte njohje të drejtpërdrejtë me sistemin e regjistrimit të pasurive, pronarët e mëdhenj të tokave dhe zhvillimet urbane në Tiranë.
Pas largimit nga administrata, Betaj nuk u zhduk nga tregu i pronave. Përkundrazi, emri i tij nisi të shfaqej në krahun tjetër të tij, te kompanitë që ndërtojnë.Një nga projektet më të mëdha ku ai rezulton i përfshirë është një kullë 25-katëshe që do të ngrihet mes Rrugës së Kavajës dhe Rrugës së Durrësit, në zonën e bllokut të ambasadave.
Pas projektit shfaqen kompanitë “Ultra Tek” sh.p.k., e lidhur me vëllezërit Sinanaj, dhe “Lunor” sh.p.k., e Shkëlzen Betajt.
Në qershor të vitit 2025 u regjistrua shoqëria “EL&EL Construction”, në pronësi të Elda Betajt, bashkëshortes së Shkëlzen Betajt, dhe Elis Sinanit, bashkëshortes së Andi Sinanajt.Vetëm disa muaj më vonë, më 17 tetor 2025, kuotat e kompanisë kaluan te Gjoka Ndërtim dhe G88 sh.p.k e Daniel Garunjës, ish-kandidat për deputet i Partisë Socialdemokrate.
Në tetor 2024, Shkëlzen Betaj dhe Andi Sinanaj krijuan “SIAN BUILDINGS ALBANIA” me një kapital prej vetëm 100 mijë lekësh, një shifër që mezi mjafton për të paguar një ekspertizë teknike, por brenda një viti e gjysmë kjo kompani shfaqet si zhvilluese e tre projekteve gjigante.Projekti i parë i SIAN është një godinë polifunksionale 26, 31 dhe 35 kate në Tiranë, e futur në KKTU në prill 2025, projekti i dytë ngrihet në rrugën “Mustafa Xhabrahimi” me 3-8 kate, ndërsa i treti është një kompleks 18-katësh në Velipojë me pishinë dhe infrastrukturë turistike, futur në KKTU më 17 prill 2026/Pamfleti/vox



