Protesta Flamingo | Një pakt mbi Ballkanin!

spot_img
Advertisements

nga Indrit Vokshi

Demokratët në ShBA kanë qenë intervencioniste (ndërhyrës).

Ata ndërhynë në Ballkan me nongrata; prej te Millorad Dodik e Sali Berisha, deri te Radojçiqi e Vulini, e deri te Aqif Rakipi e Ramiz Merko. Ndërhynë edhe me dënime me burg për tipa si Gruevski e Iliri Meta, përfshi edhe për Erion Veliaj.

Në Kosovë u përdor Gjykata Speciale.

Ata bashkë me britanikët e gjermanët deklaruan para botës se këta liderë sjanë më partnerët tanë dhe ne do të ndërhyjmë aktivisht të trimërojmë prokurorët e gjyqtarët për t’i hetuar e për t’i dënuar. Duam t’i dëbojmë këta njerëz nga skena politike sepse janë të pabesueshëm për platformën e të nesërmes.

Synohej që në Ballkan të mos kishte sundim të personalizuar, përkundrazi të ndërtoheshin institucione dhe mandej këto institucione t’i kontrollonin euro-amerikanët përmes bursistëve të tyre të rinj. Gjithçka për hegjemoninë amerikane dhe europiane në Ballkan.

Gruevski u largua duke u strehuar tek Orbani, lideri mik i Putinit. Dodiku gjithashtu udhëtoi në Moskë e përmes kanaleve sllave siguroi një pakt e u tërhoq nga politika. Gjukanoviqi u tregua më eleganti. Ashtu siç erdhi me pakte të tipit “Lord Carrington” ashtu edhe u largua nga skena. Sanaderi i Kroacisë u dënua. Thaçi e Veseli shkuan në Hagë.

Në të gjitha vendet e këtij Ballkani ndodhën ndryshime politike në nivele të larta të shtetit e të politikës. Spajiqi, Milatoviqi, Zaevi, Mickoski, Kurti, Osmani etj.

Në Shqipëri ndodhi diçka krejt tjetër. Sali Berisha u tmerrua kur kuptoi se shtetin e tij paralel, shtetin privat, shtetin brenda shtetit të cilin e kishte krijuar me mundim prej 30 vjetësh, euro-amerikanët donin tia çmontonin. A donin tia asgjësonin thjesht për të marrë më shumë kontroll apo në kuadër të masave preventive në luftën me Rusinë në Europë, ska rëndësi parësore. Vettingu i asgjësoi prokurorët dhe gjyqtarët, krijimi i SPAK e GJKKO i mori kontrollin mbi organin e akuzës dhe gjykimit.

Berisha u rebelua. Ai thirri në rebelim militantët e tij, injorancën e vendit si edhe mercenarët të cilët i ka bërë rehat ndër vite. U përdor propaganda e luftës speciale që përdorin të gjithë bosët politikë sidomos të Europës Lindore: Sorosi. Pra nuk është Amerika e cila nuk na do, nuk janë institucionet legjitime amerikane, nuk është shteti amerikan por është një person i quajtur George Soros i cili ka kapur shtetin amerikan. U tha se Amerika nuk është më Amerikë por vegël e George Soros.

Edi Rama u shqetësua keqazi nga goditja ndërkombëtare ndaj Berishës. Meqenëse Berisha u pat deklaruar haptas kundër Reformës në Drejtësi, investitorët e Reformës përcaktuan Edi Ramën si të vetmin faktor politik i cili do tua bënte të mundur përmbushjen e interesit të tyre për të avancuar atë reformë.

Edi Rama në këmbim mori akses në sistemin e drejtësisë; mirëpo kishte shumë frikë. Kishte frikë sepse e dinte se pllaka kthehet brenda natës dhe ato prokurori e gjykata mund t’i kthehen kundër, meqenëse kontrollohen në përqindje të lartë prej euro-amerikanëve. Siç u ka ndodhur edhe kryeministrave të tjerë. Thirrja publike e Berishës për Ramën se do të përfundojë si Viktor Ponta i Rumanisë i cili vetë e miratoi reformën e vetë u burgos prej asaj reforme, nuk ishte thirrje-akuzë por ishte qartazi thirrje për ta kthjelluar Ramën e për t’i kërkuar publikisht një pakt.

Me një lak apo kurth të ngritur para derës së tij, SPAK e GJKKO, Edi Rama kishte frikë të mbetej i vetëm në skenën politike. I nevojitej partner i fortë politikisht, madje absolut në opozitë, dikush si Berisha i cili është besnik në këto çështjet e ruajtjes së pushtetit të brendshëm ballkanik përballë fuqive të mëdha. E më e rëndësishmja, ka hall; ka të njejtin hall dhe e ka hall të madh. Ky lloj halli do ta mbante Sali Berishën besnik në ketë luftë.

Edi Rama mori përsipër të mos i ndalojë oligarkët dhe median e tyre që të mbështesin Berishën 24 orë si dhe ta pasurojë klanin e këtij të fundit me qindra tendera e leje në mënyrë që ata të mbeteshin në këmbë politikisht.

Protesta Flamingo ra si goditje rrufe. Ajo diskretitoi edhe më keq Edi Ramën në imazhin publik duke ia shkatërruar totalisht investimin 25 vjeçar në imazh. Sot Rama është meme kryesore dhe rinia avangarde tallen me të. Paralelisht protesta Flamingo mbylli brenda në seli Sali Berishën; protesta iu tha shqiptarëve se këtu ekziston një “popull i tretë”, ai popull i cili nuk pajtohet me ketë tango që këta kërcejnë.

Protesta na tha se mbi 50 mijë njerëz në shesh janë opozita e vërtetë e vendit, opozitë e gjallë dhe frymëzuese, opozitë me një brez të ri, jo opozita e nostalgjikëve apo e një brezi inatçarësh të cilët janë gati të mbajnë në pushtet e politikë diktatorët e kriminelët vetëm për inat të komshiut. Shkurt e shqip protesta i tha Sali Berishës se je i panevojshëm dhe e bëjmë edhe pa ty, madje e bëjmë më mirë pa ty.

Këtu u mbush kupa. Nisi goditja prej të dy krahëve. Rama tha se janë iranianët, grekët, rusët dhe të gjithë armiqtë e Shqipërisë. Berisha doli e tha se është protestë e Ergys Agasit e Hysenit, e krimit të organizuar, protestë e cila kërkon të dëbojë investitorin e fundit serioz nga Shqipëria. Kur e pa se u masakrua për ketë deklaratë dhe po ngjante si deputet i Partisë Socialiste, Berisha e vazhdoi diversionin por me mjete të tjera; doli deklaroi se 70% e protestuesve janë të PD; pra synonte të trembte protestuesit gri duke iu thënë se ju jeni pjesë e një proteste të cilën e organizoj unë. Tani synon ta përvetësojë që në shtator “flamingot” të mos afrohen por tiu duket sikur protesta ka mbaruar sepse është kapur nga Sali Berisha. Edi Rama paralel nonstop mban në punë propagandën për të na thënë se protestuesit janë sorra e çakenj.

Shqipëria dhe Serbia janë të vetmet vende në Ballkan të cilat nuk kanë pësuar transformim politik. Shqipëria sundohet nga dy personazhe të cilët në vitin 1991 janë regjistruar në një kasetë duke biseduar me njëri-tjetrin në studion e piktorit Ramadan Karanxha. Njihen prej në vitin 1991 me njëri-tjetrin; i pari e ka nisur pushtetin në vitin 1992 dhe i dyti në vitin 1998. Prej atëherë, prej mbi 30 vjet këta nuk i kanë zbritur kalit. Kanë lidhur vazhdimisht pakte me njëri-tjetrin. Deri edhe paktin e fundit para dy vjetësh. Janë angazhuar për ta ruajtur fortesën e tyre të përbashkët ku janë brenda këta, oligarkë (ose klientë) që mbajnë paratë, krim i organizuar, media, drejtorë hajdutë dhe militantë.

Me strategji e taktikë prej brenda sistemit askush nuk ka mundur t’i ndajë e t’i dobësojë. Protesta Flamingo e ka shansin që përmes një “Populli të Tretë”, përmes atij populli që tashmë i ka zbuluar e demaskuar, i ka identifikuar këta si shkaku i fatkeqësisë kombëtare, ua ka kuptuar lojën dhe hilen si dhe i neverit, të arrijë t’i bëjë zhele e t’i diskretitojë edhe më keq. Për të shkuar në një pakt të ri të republikës.

A është domosdoshmërisht më i mirë një pakt i ri? Edhe i keq në qoftë, ne skemi gjë për të humbur, të keqen (barazimin) në xhep e kemi, pse të mos provojmë pasi ndoshta na del më mirë.

spot_img

Latest articles

Related articles