Policia e Tiranës ka reaguar lidhur me ngjarjen e regjistruar rreth mesnatës së datës 11 gusht, në rrugën “Gjolekë Kokona”, ku pas një sherri mes disa shtetasve u regjistruan dhe të shtëna me armë zjarri.
Për konfliktin e dy ditëve më parë në Tiranë, policia ka identifikuar 10 persona dhe arrestuar 4 prej tyre. Në pranga janë Rezar Zaimi, Kevin Kocibellinj, Stiven Fezollari dhe Rolf Fezollari.Frenki Fezollari dhe Cercis Brahimllari, të dy 32 vjeç, janë shpallur në kërkim, kurse 4 të tjerë janë nën hetim.
Përmes një njoftimi zyrtar, policia ka bërë me dije se nga hetimet e gruput hetimor rezultoi se në këtë konflikt u përfshinë 10 shtetas, katër prej të cilëve u prangosën nga blutë, katër të tjerë u proceduan penalisht, ndërsa dy shtetas u shpallën në kërkim.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi i arrestuar R. F. ka fyer një të mitur të proceduar në gjendje të lirë. Si pasojë, 17-vjeçari dhe miq të tij janë konfliktuar fizikisht, me shtetasin R. F., vëllanë e tij, shtetasin S. F., dhe me miq të këtyre të fundit.
Më pas, i mituri dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete, te banesa e vëllezërve, nga ku dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjeteve, vëllai tjetër i tyre, shtetasi i shpallur në kërkim, F. F., pa dëmtuar askënd.



