Zekthi: Rama bën veprime djallzore, i nxit njerëzit të urrejnë njëri tjetrin

spot_img
Advertisements

Fitim Zekthi

Qeveria e kryeministrit Rama shpalli “non grata” imamin e njohur shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Bekir Halimi, dhe politikanin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Valon Bela. Sipas qeverisë shqiptare, këta përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare pasi, me anë të predikimeve të tyre, nxisin ekstremizmin.

Këtu nuk ka asnjë kuptim të shpjegojmë apo të themi se imami Bekir Halimi apo politikani Valon Bela nuk kanë asgjë kundër interesave të Shqipërisë. Përkundrazi, imami Bekir Halimi ka gjithë këto 36 vite që predikon pandalur dashurinë për vendin si një prej vlerave më të larta njerëzore dhe fetare. Është e qartë se kryeministri Rama nuk është nisur aspak nga ndjesi të tilla, nga vlerësime mbi ekstremizmin apo kërcënimet për sigurinë kombëtare. Këto janë vitet, madje ditët, më të vështira të kryeministrit Rama në pushtet. Ai përballet me protesta që nuk ndalen prej dy muajsh dhe është bërë i vetëdijshëm se ato janë një rrezik shumë i madh që ta rrëzojnë atë nga pushteti. Për herë të parë ai nuk ka mundur të kontrollojë narrativën dhe komunikimin; për herë të parë ai sheh një protestë qytetare që është bartëse e pakënaqësisë së thellë të shoqërisë ndaj tij dhe qeverisë së tij.

Ai e kuptoi që në krye të herës se kjo protestë është shumë e rrezikshme, nuk është si të tjerat dhe bart humbjen totale të besimit të shoqërisë ndaj tij. Ai me siguri e di se kur besimi humb kaq thellë nga shtresa të tëra të shoqërisë, jo thjesht nga një grup shoqëror, ai nuk mund të rikthehet më kurrë. Historia politike e botës dhe studimet pafund në lëmin e sociologjisë politike e kanë dëshmuar këtë. Kësisoj ai e sulmoi protestën si të nxitur nga armiq të shoqërisë, si të nxitur nga grekë dhe iranianë, si të nxitur nga armiq të Izraelit apo nga flukse politike kundër presidentit Trump, si të nxitur dhe organizuar nga parti politike të “ekstremiste” në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, si të nxitur nga imamë apo hoxhallarë “ekstremistë” etj. Pavarësisht të gjithave, asgjë nuk pati efektin e pritshëm, sepse e vërteta është një tjetër dhe sepse kryeministri Rama është bërë aq i pabesueshëm sa askush nuk e dëgjon më. Njerëzit e shohin vetë gjendjen, shohin korrupsionin e thellë në çdo qelizë, shohin dëshpërimin e çdo të riu dhe çdo familjeje të re, shohin dramën e çdo pensionisti dhe çdo punëtori që lufton me koston e ilaçeve, qirasë apo ushqimit.

Kryeministri Rama nuk ka asgjë me hoxhën Bekir Halimi apo me publicistin Valon Bela. Përkundrazi, nëse do t’i duhej, mund t’i thërriste në Kryeministri, të bënte foto dhe të thoshte se këta simbolizojnë përpjekjen e shqiptarëve për drejtësi dhe dashurinë më sublime për atdheun. Kryeministri Rama ka dëshmuar në gjithë këto vite që asnjë qëndrim, asnjë bashkëpunim, asnjë aleancë ai nuk e bën i nisur nga ndonjë parim apo nga ndonjë vlerë e përbashkët. Ai është aleat me LGBTQ dhe me myslimanët, ai është aleat me punëtorët dhe me bizneset më të mëdha klienteliste që marrin gjysmën e ekonomisë me koncesione, me pronarët dhe me grabitësit e pronave, me pacientët dhe me drejtuesit e kompanive farmaceutike apo drejtuesit e sistemit shëndetësor, është aleat edhe me prokurorinë, edhe me ata që akuzohen nga prokuroria për korrupsion, është aleat me Serbinë dhe me Kroacinë, me Turqinë dhe me Izraelin, me Azerbajxhanin dhe me Armeninë, me Trumpin dhe me Bidenin etj. Këto lloj bashkëpunimesh apo aleancash nuk mbajnë, nuk janë kohëgjata; vjen një moment dhe bëhen armiku më i madh. Vjen një moment kur asgjë nuk ecën më, kur gjendja bëhet e padurueshme. Në këtë pikë është kryeministri Rama.

Ajo që ai bëri me shpalljen “non grata” të imamit Bekir Halimi dhe Valon Belës (i cili me siguri ka hyrë sepse duhej që dikush tjetër ta shoqëronte emrin e Bekir Halimit) synon të ndryshojë narrativën e ngjarjeve, synon të gjejë një mënyrë të kontrollojë komunikimin, synon të prodhojë një ndarje, synon të nxisë ndjeshmëri të forta të shoqërisë shqiptare kundër myslimanëve dhe Islamit duke i paraqitur ata si rrezik. Rama, në një farë mënyre, me këtë akt siguroi predikimin e hoxhallarëve dhe myslimanët në përgjithësi, që do të thotë se synoi të rrisë në nivele ekstreme përfytyrimin e imamëve dhe myslimanëve si njerëz që, me anë të predikimit të tyre, prodhojnë rreziqe të caktuara për sigurinë dhe shoqërinë. Veprimi i Ramës, shumë djallëzor, i ka dhënë dhe do t’i japë zë një kategorie të vogël, por të zhurmshme, njerëzish të cilët udhëhiqen nga emocionet dhe mllefet irracionale, nga keqgjykime dhe interesa të ulëta, të cilët do të shtojnë sharjet dhe dozat e islamofobisë. Rama ka llogaritur se kjo gjë mund të prodhojë, ai do ta donte shumë, një mosbesim dhe madje dyshim apo edhe urrejtje të një pjese të shoqërisë ndaj myslimanëve dhe imamëve. Në situatën që është, Rama kërkon patjetër të ndryshojë termat e debatit publik.

Rama nuk ka shpallur “non grata” një imam. Rama ne thelb nuk akuzon imamin për asgjë. Rama i thotë shoqërisë shqiptare, myslimanëve dhe të krishterëve, besimtarëve dhe ateistëve, liberalëve dhe konservatorëve se ju jeni zemërngushtë dhe të vegjël, smirëzinj, mendjengushtë dhe injorantë dhe do t’i sulmoni (pas veprimit tim të shpalljes “non grata” të imamit) imamët. Ju do t’i shihni myslimanët dhe Islamin me dyshim. Kjo do të ishte një fitore e tij. Historia jonë ka treguar se kjo nuk do të ndodhë. Nuk ka asnjë shans. Shoqëria jonë ka kaluar politikanë të tjerë që kanë bërë gjëra edhe më djallëzore ndaj fesë, që kanë sulmuar Islamin dhe krishterimin me qëllime të ulëta, por kanë dështuar. Protesta do të vazhdojë sepse është kundër korrupsionit të thellë dhe dështimit katastrofik të qeverisjes. Zgjidhjen Rama e ka vetëm te qeverisja, lufta ndaj korrupsionit dhe sundimi i së drejtës. Këto të tjerat janë edhe djallëzore, por edhe të kota, pa rezultat.

spot_img

Latest articles

Related articles