Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas zjarrit në malin e Krujës, duke vlerësuar punën e forcave zjarrfikëse, ushtarake dhe policore në përballimin e flakëve. Rama tha se situata u vu nën kontroll pa të lënduar në radhët e banorëve.
Reagimi:
Ka përfunduar me vetëm një magazinë të shkrumbuar dhe asnjë banor të dëmtuar, një betejë e jashtëzakonshme me zjarrin në malin e Krujës, ku në praninë e erës dhe në pamundësinë e natës për të përdorur mjete zjarrshuajtëse nga ajri, trupat tona zjarrfikëse, ushtarake e policore u përballën me heroizëm e me aftësi të spikatur profesionale, duke shmangur një bilanc që mund të kishte qenë tragjik siç fatkeqësisht po ndodh në vende të tjera të Europës në këtë verë përvëluese🔥🔥🔥
Respekt dhe mirënjohje për heronjtë tanë të vijës së zjarreve të këtij gushti sfidues, ku mbrëmë banorët e Krujës panë se nuk ishin vetën në orët e tyre tejet të vështira, siç dëshmon edhe ky mesazh ndër disa që më dërguan mbrëmë në orët e natës:
“Zoti Kryeminister ! Ju lutem zjarri po merr permasa te medha ne Kruje! Po punojne si heronj Zoti ia shperblefte …por era po e perhap me shume shpejtesi .ne eshte e mundur per perforcime te tjera ..shteti eshte ne kembe i teri 🙏”



