Një kontroll i nisur për shkak të muzikës së lartë në një lokal në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë është shndërruar në një situatë të pazakontë për efektivët e Policisë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:20 të 1 gushtit, kur policia është njoftuar se dy subjekte në zonën e “Ujit të Ftohtë” gjeneronin muzikë me volum të lartë, duke shqetësuar banorët.
Sipas burimeve për “Ora Neës”, efektivët janë paraqitur për të kryer verifikimet përkatëse. Gjatë kontrollit në një nga subjektet në zonën e “Plazhit të Ri”, ata janë kontaktuar nga një person që është prezantuar si menaxheri i lokalit.
Por situata ka marrë një tjetër drejtim kur menaxheri u ka kërkuar efektivëve të komunikonin përmes telefonit të tij me një person tjetër. Në celularin e zgjatur përpara punonjësve të policisë ishte hapur aplikacioni WhatsApp dhe në ekran po zhvillohej një videotelefonatë me Inez Hajrullën, një prej personave më të kërkuar nga Struktura e Posaçme.
Sipas burimeve, Hajrulla u është drejtuar efektivëve përmes telefonit dhe u ka kërkuar të largoheshin, duke mos vijuar kontrollet në subjekt. Por pak çaste më vonë, kontrolli do të merrte një tjetër rrjedhë. Në momentin kur personi që kishte komunikuar me policinë vendosi celularin në çantën e tipit “marsup”, efektivët konstatuan praninë e një arme zjarri.
Policia ndërhyri menjëherë dhe kreu kontrollin e çantës. Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri tip revolver, një sasi lënde të dyshuar narkotike e llojit kokainë, një sasi tjetër e dyshuar si Cannabis Sattiva, shuma parash në valuta të ndryshme, një telefon celular dhe një çelës automjeti tip Volksëagen.
Personi u neutralizua dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Vlorë. Nga verifikimet e mëtejshme, ai është identifikuar me inicialet E.O., banues në Vlorë.
Burimet bëjnë me dije për “Ora Neës” se kontrollet kanë vijuar edhe në automjetin tip Volksëagen Golf, në pronësi të tij. Brenda mjetit është gjetur dhe sekuestruar një sasi materiali bimor, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit Cannabis Sattiva, e mbështjellë me letër alumini.
Kush është Inez Hajrulla?
I njohur në Vlorë me nofkën “Sakati”, Inez Hajrulla është një prej emrave të përmendur prej vitesh në kronikën e zezë të qytetit bregdetar. Ai i ka shpëtuar disa atentateve, ndërsa në një prej sulmeve më të rënda ndaj tij ka mbetur i gjymtuar.
Në vitin 2017, Hajrulla ishte shënjestër e një atentati me lëndë shpërthyese. Shpërthimi i shkaktoi dëmtime të rënda dhe ai humbi të dyja këmbët. Emri i tij është përmendur ndër vite edhe në hetime të ndryshme të autoriteteve për ngjarje kriminale në Vlorë.
Dy vite më vonë, në maj të vitit 2019, ai u përball me një tjetër atentat në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ku ndaj lokalit ku ndodhej u qëllua me armë zjarri. Hajrulla arriti t’i mbijetonte sulmit, ndërsa mbeti i plagosur një person tjetër që ndodhej rastësisht në të njëjtin ambient.
Një tjetër episod i rëndë lidhet me gushtin e vitit 2023, kur Policia e Vlorës arrestoi Amarildo Nikollin, i cili u kap me armë zjarri dhe sende të tjera. Sipas të dhënave të bëra publike më pas, Hajrulla dhe Ervis Matodashaj dyshohej se ishin objektivat e një atentati që po përgatitej ndaj tyre.
Hajrulla është përmendur gjithashtu në hetime të tjera të autoriteteve shqiptare. Në vitin 2018, ai u dënua me shërbim prove për veprat penale të “mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.



