Deborah Beqaj, vajza e ish-ministrit të shëndetësisë Ilir Beqaj ka hequr dorë nga shtetësia shqiptare. Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, vendimi është dekretuar nga Presidenti i republikës, Bajram Begaj, duke i hapur kështu rrugë heqjes dorë nga shtetësia shqiptare për Deborah-n.
Kujtojmë se ky vendim i saj vjen teksa i ati, ish-ministri i shëndetësisë, ndodhet në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ai la qelinë javën e kaluar pas ndryshimit të masës së sigurisë, në lidhje me dosjen “SASPAC”.
Ndërsa sa i përket së bijës, në vitin 2024, ka rezultuar se edhe emri i saj ka dalë nga përgjimet e kryera për Beqajn. Ku sipas raportimeve të asaj kohe bashkëshortja dhe vajza e Beqajt në komunikimet e tyre flasin për “Gzonën” dhe për ndryshimet e bëra aty, fakte të cilat tregojnë për lidhjen e tyre me këtë restorant, për të cilin u deklarua se Beqaj ishte pronar faktik.
Më 07.07.2023 në një bisedë të kryer kontakti “Deborah Beqaj” pyet se “Si kaluat mbrëmë” ndërkohë kontakti “Ada Cuci” i pergjigjet se “Mirë shumë. Te Gzona është bërë shumë nice me ndryshimet e reja… Oo kanë bërë shumë. Ka ardh një çun i ri që merret aty … Është shtruar poshtë me drasa dhe është bërë me 2 pjesë”



