Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, në një intervistë për moderatorin Besard Jacaj në “Klan News” ka folur për protestat që vijojnë prej 65 ditësh në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, masat ndaj personave që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare, si edhe situatën e zjarreve në vend.
Ai bëri të ditur se ka firmosur edhe vendime të tjera për shpalljen “të padëshiruar” të personave të cilët, siç tha ai, sipas vlerësimeve të agjencive të inteligjencës dhe zbatimit të ligjit, përbëjnë kërcënim real për vendin.
“Fakt është dhe kjo është e dëshmuar , një rast që ju përmendët më herët, ku unë në zbatim të së drejtës që me jep ligjin për të shpallur person të padëshiruar në vendin tonë për 15 vite, ishte dhe rasti i zonjës Ikballe Huduti, e cila në fakt sipas informacioneve të administruara nga agjencitë e shërbimit informativ dhe të zbatimit të ligjit provohej se kishte lidhje dhe veprimtari, të cilët përbejnë shqetësim dhe kërcënim për Shqipërinë. Nuk është vetëm ky rast, edhe pse nuk është bërë publike, edhe më pas në javët në vijim ka pasur raste të tjera, të cilët i kam shpallur persona të padëshiruar në zbatim të atributeve që më jep ligji“, tha ai.
I pyetur nëse këto persona janë personazhe publike, ministri Lamallari nuk dha detaje.
“Jo detyrimisht, por persona, që sigurisht me shfaqje dhe tendenca shqetësuese ekstremiste, të cilët në tërësinë e tyre, pavarësisht rrymave të ndryshme, të mbështetjes, financimit dhe propagandimit, vlerësohen nga agjencitë e Shqipërisë se përbëjnë kërcënim real për vendin dhe qytetarët shqiptarë dhe rrjedhimisht detyrohem të ndërmarr një vendimmarrje të tillë”, tha ai.



