Pasi i mbijetoi mocionit për shkarkimin nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se nga sot e heq pezullimin për bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje për krijimin e institucioneve të reja të vendit, duke theksuar se Kosova ka nevojë për stabilitet institucional.
“Nga nesër e tutje do të përpiqemi të vazhdojmë diskutimet aty ku kanë mbetur. Nga sot e heqi atë pezullimin dhe LDK është e hapur të diskutojmë tutje për institucionet”, tha Abdixhiku.
Pas dorëzimit të nënshkrimeve për nismën për shkarkimin e tij, Abdixhiku kishte pezulluar bisedimet me udhëheqësin e partisë fituese, Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e qershorit.
Abdixhiku, së bashku me ish-presidenten Vjosa Osmani, ishin takuar me Kurtin më 10 korrik, për çështjen e krijimit të institucioneve të reja. Ndonëse takimi nuk prodhoi ndonjë rezultat, Kurti dhe Abdixhiku pas takimit shprehën gatishmëri për vazhdimin e bisedimeve për një marrëveshje.
Kreu i LDK-së tha se nuk pranon marrëveshje që nuk ofron demokraci funksionale, ku pozitat shtetërore, Kuvendi, Qeveria dhe Presidenca t’i takonin një partie.
Ai tha se partia e tij është për një marrëveshje të mirë, e cila sipas tij nënkupton që të “ketë balancë institucionale mes palëve që duan të jenë pjesë e saj. E rëndësishme është që të shmangen zgjedhjet. Populli nuk do më zgjedhje të reja. Do stabilitet institucional”.
Seanca për konstituimin e legjislaturës së re është caktuar për 6 gusht dhe me konstituimin e organit ligjvënës nis edhe rrjedhja e afatit 60-ditor për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Pikërisht, mosarritja e konsensusit mes partive për presidentin muaj më parë nxiti zgjedhjet e qershorit.



