Dhunohet Elton Qyno, gazetari goditet në befasi nga bashkëshortja e Florenc Çapjas

spot_img
Advertisements

Gazetari investigativ Elton Qyno ka denoncuar një sulm fizik dhe kërcënime të vazhdueshme, të cilat sipas tij lidhen me grupin kriminal të Çapjave në Elbasan, një prej grupeve më të goditura nga SPAK.

Qyno është sulmuar një ditë më parë pranë Spitalit Amerikan 3 nga bashkëshortja e Florenc Çapjas, i dënuar me burgim të përjetshëm.

Ajo dyshohet se fillimisht e ka goditur gazetarin me telefon dhe më pas me çantë e sende të tjera.

Pas ngjarjes, Qyno ka bërë kallëzim penal në polici. Pas administrimit të pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, policia ka shpallur në kërkim autoren e dyshuar të sulmit.

Gazetari ka deklaruar se para sulmit kishte marrë në mënyrë të përsëritur mesazhe kërcënuese nga persona të lidhur me grupin Çapja.

Në të kaluarën, Qyno ka publikuar materiale investigative mbi veprimtarinë e grupeve kriminale në Elbasan, përfshirë edhe Çapjat. Ai është përfshirë gjithashtu në procese gjyqësore me SPAK, pasi organi i akuzës e kishte hetuar në kuadër të një dosjeje që lidhej me grupin e Suel Çelës.

Sipas vendimeve të Gjykatës së Apelit të GJKKO-së dhe Gjykatës së Lartë, pretendimet ndaj tij për përfshirje në veprimtari kriminale apo fshirje lajmesh kundrejt pagesës nuk u provuan dhe ai nuk kishte kryer vepër penale.

Në një tjetër çështje, Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimet për sekuestrimin e telefonave dhe sendeve personale të gazetarit, pas publikimeve të tij mbi komunikime në aplikacionin Sky ECC mes personave të dyshuar të botës së krimit.

spot_img

Latest articles

Related articles