Kanuni i Surrelit

spot_img
Advertisements

nga Indrit Vokshi

Neni 1 – BESA

a) Bajraktari i Surrelit ka të drejtë qi sa herë të ndodhet në hall t’i japë popullit besën. Sapo ta kalojë hallin, aj nuk asht i detyruem me e mbajt at besë.

b) Edhe kur populli nuk ja pranon besën, Bajraktari i Surrelit e vazhdon përpjekjen e tij, tue thirrë në ndihmë tellallët e televizioneve t’cilët kanë për detyrë me e bindë popullin se duhet me e pranue besën e Bajraktarit.

c) Tellallët e televizioneve për shërbimet e bâme paguhen edhe me pare në dorë por edhe në natyrë me udhëtime, punësime të familjarëve, deri edhe me dreka e darka dhe me iphone dhuratë.

Neni 2 – QEVERIJA

a) Qeverija zotnon pronat prej Vermoshi n’Konispol. Edhe kur nji pronë i përket nji familjeje apo njeriu, qeverija mundet me ja marrë me ligj strategjik e me ja dhanë kujt t’ketë dëshirë ajo.

b) Qeverija ska detyrë me vërtetue se po punon për popull, por populli duhet me vërtetue se asht mirënjohës e falenderues kundrejt qeverisë.

Neni 3 – BAJRAKTARI

a) Bajraktari i Surrelit asht zotnues i qeverisë dhe i kuvendit si edhe i bashkive. Aj ka të drejtë kurdoherë qi anëtarët e qeverisë me i sha me rob shpije, anëtarët e parlamentit me iu hjek të drejtën për me folë, dhe kryetarët e bashkive me i tall e me i vu në lojë faqe popullit.

b) I gjithë shteti janë të detyruem me i pague Bajraktarit të Surrelit çdo vit djathë, gjalpë, voj ullini, lesh deleje e mjalt.

c) Ata qi jetojnë në Europë e Amerikë Latine janë të detytuem me i pague 100 kile miell në vit.

d) Biznesment, ndërtuesit e rrugëve, marrësit e tenderave e koncesioneve, janë të detyruem t’i paguejnë Bajraktarit të Surrelit tue ia ble pikturat e tij, edhe si pagesë por edhe ma ja bâ qejfin si piktor. Ndërtuesit e pallateve e resorteve veçanërisht, janë të detyruem t’i paguejnë tue kontraktue arkitektët e huej.

Neni 3 – FAMILJA

a) Familja përbâhet prej grues, burrit, fëmijëve, si dhe patronazhistit qi i mban ata nân vëzhgim.

b) Me Kanû t’Surrelit, grueja asht zot shpije. Kur burri asht çyryk, grueja ka për detyrë me e bindë burrin qi aj të votojë Bajraktarin e Surrelit.

Neni 4 – POPULLI, KULLOTAT, BAGTIJA

a) Populli konsiderohet njilloj si bagtija. Kush zotnon ma shum’ dele, quhet shpia e parë e i nigjohet fjala.

b) Siç bagtisë i jepet bari, sana, e tagjia, edhe popullit i jepen premtimet, bonuset e pensioneve dhe i falen gjobat. Si dhe i kursehet shpija apo dyqani pa ju shemb’ dhe populli duhet të jet’ falenderues pse bajraktari spo ja shemb shpi a dyqane.

c) Ajo pjesë e popullit qi asht ma besnike se të tjerët kundrejt Bajraktarit të Surrelit, i jepet kullota në shtet qi t’ketë ma shumë bar për me hangër, e të ketë kohë me mrizue nër hije t’lisit.

Ky Kanun i Surrelit plotësohet e shtohen nene simas rastit e dëshirës!

spot_img

Latest articles

Related articles