Eurodeputeti i Partisë Popullore Europiane (EPP), Tomáš Zdechovský, ka deklaruar se institucionet europiane po ndjekin lëvizje financiare që, sipas tij, lidhen me familjen e kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se janë përdorur familjarë për transferime parash jashtë vendit.
I ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV, Zdechovský tha se mesazhi ndaj kryeministrit shqiptar është i qartë dhe se keqpërdorimi i pushtetit dhe mungesa e transparencës do të kenë pasoja.
“Ne kemi vënë re se ai përdor familjen e tij për të çuar para jashtë shtetit. Ne po ndjekim paratë. Është një mesazh i qartë dhe ai do ta kuptojë shumë mirë”, deklaroi eurodeputeti, duke iu referuar pasojave të lartpërmendura.
Eurodeputeti, i cili tha se ka qenë pjesë e një misioni faktmbledhës të EPP-së në Shqipëri, u shpreh se situata në vend është shqetësuese dhe se Bashkimi Europian nuk do të pranojë një Shqipëri me probleme korrupsioni dhe mungesë transparence zgjedhore.
“Ne kemi një pasqyrë të qartë të situatës në Shqipëri. Nuk është e mundur të vazhdohet kështu. Korrupsioni nuk do të jetë kurrë pjesë e Bashkimit Europian dhe zoti Rama duhet ta dijë se nëse keqpërdor pushtetin në mënyrë jo demokratike, ai nuk do të bëhet kurrë pjesë e BE-së”, tha Zdechovský.
Ai shtoi se mesazhi ndaj qeverisë shqiptare është përcjellë edhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
“Është e nevojshme të ushtrohet presion. Nga Bashkimi Europian mund të jeni të sigurt se situata në Shqipëri po monitorohet dhe qëndrimi ynë është absolutisht i qartë. Nëse zoti Rama nuk përgatit zgjedhje transparente, do të ketë pasoja, veçanërisht për të dhe familjen e tij”, deklaroi eurodeputeti.
Gjatë intervistës, Zdechovský iu përgjigj edhe pyetjeve për shqetësimet e ngritura mbi proceset zgjedhore dhe nivelin e korrupsionit në Shqipëri.
Ai theksoi se një vend që synon anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të garantojë institucione demokratike, zgjedhje transparente dhe luftë reale kundër korrupsionit.
Sipas tij, përdorimi i pushtetit në mënyrë jo demokratike do të ndikojë në perspektivën europiane të Shqipërisë.
“Shqipëria që do të anëtarësohet në Bashkimin Europian nuk mund të ketë këto probleme dhe këto simptoma”, u shpreh eurodeputeti.
Deklaratat e Zdechovský vijnë në një kohë kur debati politik në Shqipëri është përqendruar te akuzat për korrupsion, funksionimi i institucioneve të drejtësisë dhe procesi i integrimit europian



