Mjekët stomatologë po konstatojnë një rritje të rasteve të prishjes së dhëmbëve te fëmijët dhe të rinjtë. Mënyra e të ushqyerit, konsumi i lartë i sheqernave dhe mungesa e higjienës orale mbeten ndër faktorët kryesorë. Specialistët paralajmërojnë se edhe pijet energjike po shkaktojnë dëme serioze në shëndetin e dhëmbëve.
“Faktorët kryesorë që është akoma më problematik është lloji i orizit, i miellit apo i bukës që përdoret te pjesa e fëmijëve, marka të ndryshme produktesh që është shporta e përditshme e ushqimeve. Ne shikojmë që kjo ndikon më shumë sesa vetë çokollatat apo ëmbëlsirat që prindërit merakosen më shumë”, u shpreh mjeku stomatolog, Fatjon Yzeiraj.
Mjekët stomatologë po konstatojnë një rritje të rasteve të prishjes së dhëmbëve te fëmijët dhe të rinjtë, një problem që lidhet ngushtë me mënyrën e të ushqyerit dhe mungesën e kujdesit të rregullt për higjienën orale. Mjeku stomatolog Fatjon Yzeiraj përmend faktorët kryesorë që ndikojnë në këto problematika.
“Pijet energjike nuk duhet të merren fare në konsideratë për t’u përdorur nga të rinjtë, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët. Fëmijët kanë nevojë për një stil jetese të shëndetshëm dhe kujdes të shtuar për shëndetin e tyre. Duhet të kemi parasysh se pijet energjike kanë përbërës të ndryshëm, të cilët mund të ndikojnë ndryshe në organizëm. Prandaj, ajo që mund të jetë e përshtatshme për një të rritur nuk është domosdoshmërish e përshtatshme për një fëmijë”, tha ai.
Stomatologët u bëjnë thirrje prindërve dhe të rinjve t’i kushtojnë më shumë rëndësi higjienës orale, të kufizojnë konsumimin e pijeve energjike dhe ushqimeve me përmbajtje të lartë sheqeri, si dhe të kryejnë kontrolle të rregullta dentare për të parandaluar problemet që në fazat e hershme.



