nga Red Varaku
Gabimi më i madh që po bën establishmenti politik në Tiranë është se po e lexon gabim atë që po ndodh. Ai vazhdon të sillet sikur ka përballë një krizë artificiale, të prodhuar nga opozita, nga “armiqtë e jashtëm”, nga Irani, Rusia, Greqia apo nga çdo teori tjetër konspirative që i shërben për të mos parë realitetin.
Por problemi është se Shqipëria po kalon një krizë legjitimiteti dhe kjo është shumë më e rrezikshme se çdo protestë.
Një krizë legjitimiteti lind kur qytetarët nuk e shohin më establishmentin politik si përfaqësues të tyre dhe interesave të tyre. Kur besimi te institucionet gërryhet çdo ditë nga arroganca, korrupsioni, pandëshkueshmëria dhe mospërfillja, atëherë nuk kemi më një konflikt mes qeverisë dhe opozitës, por kemi një konflikt mes pushtetit dhe shoqërisë.
Këto kriza nuk zgjidhen as me propagandë, as me emisione të porositura, as me polici dhe as duke linçuar qytetarët që protestojnë.
Nëse kjo krizë besimi nuk adresohet shpejt dhe si duhet, Shqipëria mund të përballet me tre skenarë.
Skenari i parë është ai politik. Protesta krijon një vetëdije të re qytetare dhe kjo përkthehet më pas në votë në zgjedhjet më të afërta. Në këtë skenar nuk është e nevojshme që njerëzit të jenë çdo ditë në shesh, sepse mjafton që ata të ndryshojnë mënyrën si votojnë dhe atëherë establishmenti mund të përballet me një humbje historike.
Shenjat kanë filluar të duken, sepse edhe sondazhet tregojnë se mbështetja për partitë tradicionale është në pikiatë, ndërsa gjithnjë e më shumë qytetarë kërkojnë një alternativë të re. Kjo jo vetëm nuk është rastësi, por është pasoja e drejtëpërdrejtë e mënyrës se si establishmenti ka zgjedhur t’i përgjigjet protestës.
Skenari i dytë është ai i mosbindjes civile. Nëse qytetarët humbasin bindjen se institucionet mund të korrigjojnë problemet, atëherë protesta kalon në një fazë tjetër. Greva, bojkote, refuzim bashkëpunimi dhe bllokim i jetës normale institucionale. Në atë pikë nuk vihet më në pikëpyetje vetëm popullariteti i qeverisë, por pamundësohet praktikisht qeverisja çka do ta kthente krizën në problem qeverisjeje dhe detyrimisht do ta detyronte establishmentin të zbatonte pesë pikat pa kushte .
Skenari i tretë është ai që askush nuk duhet ta dëshirojë, por teorikisht mbetet aty nëse revolta tentohet të shtypet me dhunë. Në raste të tilla historia na tregon se shoqëritë futen në përplasje të rrezikshme dhe askush nuk fiton nga një rrugë e tillë dhe ne e kemi të freskët një ngjarje të tillë.
Prandaj, pyetja që duhet t’i bëjë vetes çdo pushtet nuk është, “Si ta ndalim protestën?” Pyetja e vërtetë është, “Pse një pjesë e shoqërisë nuk na njeh më si autoritet të besueshëm?”
Sepse kur një krizë legjitimiteti trajtohet si një problem policor, pushteti mund të fitojë kohë, por është e sigurtë që do të humbase të ardhmen. Dhe historia politike ka treguar vazhdimisht se udhëheqësit nuk rrëzohen sepse nuk kontrollojnë më rrugët apo sheshet, ata rrëzohen sepse nuk kuptojnë më shoqërinë që pretendojnë se qeverisin.



