Gjykata e Durrësit ka caktuar masat e sigurisë për tre ish-zyrtaret e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të arrestuara në kuadër të hetimeve për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj.
Gjykata vendosi masën “arrest në burg” për ish-drejtoreshën e filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa ndaj ish-shefes së financës, Valbona Duni, dhe ish-arkëtares, Paola Dana, caktoi masën “arrest në shtëpi”.
Të treja akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve të Prokurorisë, gjatë muajve prill dhe maj 2026 ato dyshohet se kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj.



