Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë këtë të martë drejt Ankarasë për të marrë pjesë në Samitin e NATO-s, i cili do të zhvillohet sot dhe nesër.
Sipas mediave turke, presidenti Recep Tayyip Erdogan do të zhvillojë takime dypalëshe me 32 krerë shtetesh dhe qeverish, mes të cilëve edhe kryeministri Edi Rama.
Pjesëmarrja e Ramës në këtë samit vlerësohet si pjesë e angazhimit të Shqipërisë në strukturat e NATO-s dhe e koordinimit me aleatët për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes.
Më pas ai do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes së liderëve nga presidenti Erdogan dhe Rutte si edhe në mbledhjen plenare të Aleancës në nivel krerësh shtetesh dhe qeverish.
Axhenda e pasdites parashikon një seri takimesh dypalëshe me liderë të rëndësishëm. Kryeministri shqiptar do të zhvillojë bisedime me kryeministrin e Sllovenisë, Janez Jansa, me kryeministrin e Hungarisë, Peter Magyar si edhe një takim kokë më kokë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në program është parashikuar edhe një takim dypalësh me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Po ashtu redaksia mëson se ditën e enjte, kryeministri Rama do të zhvillojë një takim bilateral me presidentin Erdogan në Pallatin Presidencial në Ankara.
Gjatë samitit, Erdogan pritet të takohet me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin e dorëhequr britanik Keir Starmer, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin kanadez Mark Carney, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Presidentin finlandez Alexander Stubb, Presidentin sllovak Peter Pellegrini, Kryeministrin bullgar Rumen Radev, si dhe Kryeministrin malazez Milojko Spajic.
Sipas agjendës së parashikuar, një nga takimet më të rëndësishme dypalëshe do të jetë ai mes Erdoganit dhe presidentit amerikan Donald Trump. Pas këtij takimi pritet të mbahet edhe një konferencë e përbashkët për shtyp.



