Kazani po plasë e kapaku nuk mban mâ! Ka 5 javë që rinia e Shqipnisë po kërkon largimin e qeverisë aktuale, rregullimin e standardizuem të strukturës kushtetuese të shtetit të perëndimizuem, çlirimin e opozitës zyrtare prej pengmarrjes politiko – familjare kolaboracionizmi në instalimin e një sistemi të kontrollimit të demokracisë, etj.. Paradoksalisht, pikërisht në ditët kur zyrtarisht shpallet se po mbyllen, njeni mbas tjetrit, kapitujt e negociatave me Bashkimin Europian, Shqipnia ndodhet, në thelb, në krizën ma të randë politike, institucionale e morale që prej vitit të mbrapshtë 1997, të prodhuem nga të njajtat parti e aktorë politikë. E gjitha kjo po zhvillohet para syve të përfaqësuesve të Europës, të cilët, deri më tash kishin zgjedhun të mos e shihnin thellësinë e kësaj krize dhe deformimin e sistemit politik në Shqipni, rrënimin e njeriut të thjeshtë në këtë vend të harruem nga fati dhe të vjedhun prej “përfaqësuesve” të vet.
Rrânja e kësaj krize gjendet tek nji legjitimitet i ndërtuem mbi nji proces të përçudnuem zgjedhor, krejt në kundërshtim me mënyrën se si fitohet sovraniteti në demokracitë perëndimore. Që nga maji 1996, legjitimitetet nuk u ndërtuen mbi vullnetet e lira të qytetarëve, por gjithnjë e më shumë, çdo vit, mbi kontrollin dhe shtërngimin paraprak të elektoratëve, mbi koalicionin/kundërshtinë e forcave të errëta; jo mbi konkurrencën e ndershme politike, por mbi nji garë të deformueme të të emnuemve që marrin qesim kolegjin që u caktohet për arsye jo të ndershme; jo mbi barazinë e kolegjeve zgjedhore në territor, por mbi një strukturë asimentrike të përfaqësisë, që garanton kopsitjen afatgjatë të rezultateve në të mirë të forcave të majta politike, të zgjerueme artificialisht në xhepat e padijes dhe komunizmit tradicional.
Në rastin e krizës aktuale, ky sistem u parapri nga zbrazja e programueme e vendit prej qytetarëve të vet, nga veprimtaria e nëndheshme e fashove të patronazhistëve dhe e të fortëve, nga përzgjedhja paraprake e njerëzve besnikë për postet drejtuese dhe legjitimimi formal i tyne përmes zgjedhjeve pa konkurrencë reale, nga pabarazia para ligjit, padrejtësitë sociale, administrative e pronësore, dobësimi i rendit juridik dhe nga ngritja e mekanizmave shtetnorë që u shërbejnë interesave të ngushta të individëve të angazhuem në përjetësimin e pushtetit të nji partie. Nuk asht rastësi që fëmijët e shumë prej këtyne përfituesve shfaqen paskëtaj, të veshun me petkun e “investitorëve strategjikë”, si vazhdim i të njajtit sistem privilegjesh dhe klientelizmi, të trashëguem nga elitat që instaluan, ruejtën dhe transformuan diktaturën hoxhiste në nji demokraci surrogate.
Strategjitë e zhvillimit të vendit nuk përcaktohen mâ prej interesit publik, por kontrollohen gjithnjë e mâ tepër prej interesave të nji oligarkie që përfiton fonde publike dhe, sipas akuzave të shumta publike të Prokurorisë Speciale, ndërton pasuninë e vet mbi ekonominë informale dhe pastrimin e kapitalit kriminal, tue rrënue me vendosmëni klasën e mesme shqiptare dhe shtresat e vorfna të popullsisë. Ndërkohë, territori i Shqipnisë asht shndërrue në nji hapësinë ku agjentura e ndikime të ndryshme të vendeve aziatike me interesa deformuese të identitetit albanianist të shtetit, veprojnë me liri shqetësuese, tue sfidue karakterin shekullar dhe orientimin shekullar të Shtetit Shqiptar, ashtu siç u konceptue dhe u ndërtue prej Etënve të Kombit, gja që po shihet edhe këto ditë nga mënyra se si po depërtojnë brenda revoltës legjitime të shqiptarëve, partizanët e pasdaranëve, “teoricienët” e një shteti hibrid jo europian. Këto zhvillime janë pasojë e dobësimit të institucioneve shtetnore, të cilat, në vend që me mbrojtë interesin kombëtar dhe rendin kushtetues, janë ndërtue mbi kompromise të errëta, kryqëzime zgjidhjesh kontradiktore dhe mekanizma pushteti që shpesh funksionojnë jashtë frymës së ligjit e të institucioneve demokratike, tue prodhue për rrjedhojë, nji shumësi dukurish që shtrihen pa cak nën nji harlisje të papërcaktueme.
Por, nji shtet nuk damtohet vetëm nga shkelja e ligjit, por edhe nga mungesa e empatisë, e përgjegjësisë dhe e ndërgjegjes tek ata që janë ngarkue me u kujdes për respublica-n. Kur këto tri cilësi mungojnë tek nji ekzekutiv, viktima e parë bëhet vetë besimi i qytetarëve te shteti. Të të jepet mundësia me drejtue nji vend asht nji privilegj që historia ua jep shumë pak njerëzve. Me e shpërdorue atë mundësi, tue e vu pushtetin në shërbim të vetes e jo të së mirës publike, nuk asht thjesht nji gabim politik; asht nji faj moral ndaj kombit dhe nji përgjegjësi që historia asnjiherë nuk ta fal.
Në qoftë se ende nuk kuptohet pse qindra mijëra shqiptarë kërkojnë largimin e klasës politike që ka mbajtë peng jetën publike të vendit dhe ka prodhue këtë binom talljeje me qytetarin dhe demokracinë, atëherë mjafton me ndigjue jehonën e zânit të fmijve tonë, motrave e vllazënve që u detyruen me e lanë Shqipninë. Mjafton me ndigjue dhimbjen e nanave që i përcollën bijtë e vet në mërgim, tue i pa me sy se si mbetën pa atdhe dhe pa rranjë vazhdimësie në tokën e të parëve. Mjafton me kuptue dramën e përditshme të mbijetesës së mërgimtarëve në tokë të huej, larg familjeve, larg vendlindjes dhe larg shpresës se nji ditë do të mund të ndërtojnë jetën me dinjitet në vendin e tyne.
Duhet me u kuptue mirë nji e vërtetë, se Restaurimi i pandryshuem në kupolë i pasardhësve të familjeve që mbajtën gjallë diktaturën e ushtruan dhunën ndaj popullit të thjeshtë, ishte nji reaksion i papranueshëm, nji premje në besë për demokracinë e brishtë shqiptare. Dhe, sikundër revolucioni komunist pjelli burgosje e vrasje, ashtu edhe restaurimi i trashëgimtarëve inatçorë të tyne në vitin 2013, polli dëbime, përjashtime dhe segregime. Ndaj kurrkush nuk e fal zhbamjen e programueme të vendlindjes; kurrkush nuk e pranon përpjekjen me zëvendsue popullin e Arbnisë me masa njerëzish të prûmë prej oligarkëve nga viset e largëta të Azisë; kurrkush nuk e harron dhunën e bandave, të të korruptuemve, të militantëve e të milicisë patronazhiste, që u shndërruen në mekanizma të përfitimit të pushtetit; kurrkush nuk i harron njerëzit e fortë që u banë roje të zgjedhjeve, garantë të trafiqeve ndërkombëtare dhe aksionarë të oligarkisë, tue u pasunue pa e fitue kurrë bukën me nji punë të ndershme; kurrkush nuk e fal burgosjen e ndershmënisë qytetare dhe naltësimin e horrave në krye të punëve, administratës dhe institucioneve, kufizimet e vendosuna mbi jetën e lirë të qytetarëve; kurrkush nuk e harron diskriminimin politik, socialist e krahinor, të shndërruem në nji sistem të pamëshirshëm përjashtimi; dhe, mbi të gjitha, kurrkush nuk e fal shkuljen e arbnorëve prej kullave e trojeve të tyne stërgjyshore ndër Alpe e Bregdet.
Askush nuk mundet me e arsyetue mashtrimin e madh të rithemelimit të demokracisë dhe të lirive, që nuk mbërritën kurrë në Shqipni. Për tridhjetë e pesë vjet, vendi u mbajt nën të njajtën kulturë pushteti, të ushqyeme prej dyshimit, ligësisë, përçmimit ndaj qytetarit dhe etjes për përfitim.
Sot kazani i mashtrimit ka plasë e kapaku nuk mban mâ. Po fluturon drejt qiejve. Perdja e rrenës ka ra, maskat janë grisë, e fytyra e vërtetë e sistemit të ngritun mbi kompromise, klientelizëm e kapje të shtetit ka dalë në dritë. Ka ardhë koha me u çmontue “Republika e të Fortëve dhe e Trashëgimtarëve të Monizmit”. Sa ma shpejt të largohet prej skenës kjo kulturë pushteti, aq ma mirë ka me kenë për Shqipninë dhe për nisjen e nji rruge të re, të mbështetun mbi shtetin e së drejtës, meritën dhe përgjegjësinë publike. Vetëm nji qeveri tranzitore, e përbame prej grave e burrave me integritet të pacënueshëm, dije të naltë e autoritet qytetar, mund ta çmontojë tullë mbas tulle Regjimin e Oligarkisë e të Patronazhimit, atë ngrehinë të errët që mori trajtë me kompromisin famëkeq kushtetues të vitit 2008, kur çelësat e përfaqësimit politik dhe kontrolli mbi pjesën dërrmuese të institucioneve të shtetit iu përqendruen kryetarëve të partive. Prej atij çasti, shteti humbi ekuilibrat e vet kushtetues. Sot Shqipnia gjindet e mbërthyeme në nji krizë të thellë, pa mekanizma të besueshëm kontrolli e korrigjimi, pa ndërmjetësim institucional dhe pa nji rrugëdalje normale kushtetuese prej kolapsit ku asht zhytë, aq sa ka nxitë fantazitë e aventurierëve gjithfarësojit, të përziem tinzisht në trupin e pastër të revoltës.
Largimi pa kushte prej pushtetit, si akt i arsyes demokratike perëndimore, asht ndoshta i vetmi shërbim që mund t’i bahet ende këtij vendi, në mënyrë që emni i atyne që e kanë qeverisë mos të mbetet i mallkuem përgjithmonë në kujtesën e shqiptarëve. Le të jem i kjartë: Shqipnia ka nevojë për nji qeveri tranzitore, jo të bulevardit, por të të gjithë talenteve të konfirmuem sigurtë (all-talents government), të përbame prej nja 10 grave e burrave të spikatun, me dije, integritet dhe përvojë në shtetndërtim, e aftë me ndërmarrë korrigjimet kushtetuese, zgjedhore e ligjore të domosdoshme, në mënyrë që kjo dramë institucionale të mos përsëritet mâ. Vendi ka nevojë pikërisht për ato reforma që u premtuen në vitin 2013 prej vetë Kryeministrit Edi Rama në fjalimin inaugurues, si themel i nji Republike të re, por që mbetën të parealizueme në letrën e depozitueme në arshivën e Parlamentit.
Çashtja themelore për Shqipninë Post-Patronazhiste asht Reforma Kushtetuese dhe ajo e ligjeve organike, që i hapin rrugë sovranitetit të mirëfilltë, ndarjes e balancimit të pushteteve; forcimit të Institucionit Mbrojtës të Shtetit (Prokurorisë); zgjanimit organik të organeve të drejtësisë me njerëz të diplomuem jashtë vendit; ndryshimit të kodit zgjedhor për me mundësue zgjedhje të lira e të papatronazhueme; reformës së re territoriale që duhet me e kthye Shqipninë tradicionale; europianizmit e laicitetit të pastër e të paprekshëm të jetës publike e shtetnore, larg hududëve me bishtalec.
Kujtoj se Kushtetuta e vitit 1998 e Republikës Parlamentare i krijonte premisat e para për nji farë kontrolli të mazhorancave prej pak duerve. Por ishte Kompromisi i vitit 2008 ai që e varrosi krejt vullnetin e popullit për me formue pushtetin e mirëfilltë sovran, e fshiu kontrollin e balancën mes pushteteve dhe e humbi krejt rolin e Presidentit si simbol i unitetit e vendimmarrës në zgjidhjen e krizave, si kjo e sodit. Kushtetuta aktuale, ashtu e përçudnueme në vitin 2008, mundëson që jo sovrani, por ata që luejnë fijet nalt në skenën e “teatrit të kukullave”, Oligarkët e Mafiokracia, të jenë vendimmarrësit e vërtetë të fateve të Shqipnisë.
Korrigjimi mundet me ndodhë si brenda kuadrit të Republikës Parlamentare (tue e ba me të vërtetë Republikë me nji sistem parlamentar me president korrektiv), ashtu edhe tue e transformue Republikën tonë drejt nji sistemi parlamentar me President. Pra, Republika jonë mundet me mbetë parlamentare, por me u ba ma funksionale, tue rritë rolin e institucioneve kontrolluese, balancuese e drejtuese, tue krijue nji qeveri që jep ma shumë llogari në planin praktik e tue ngritë rolin e Kreut të Shtetit si udhërrëfyes e korrektor, që pikërisht për këtë arsye, duhet me u zgjedhë drejtpërdrejt prej popullit.
Shqipnia ka nevojë për nji ndërhymje në sistemin zgjedhor për me e ba ma përfaqësues, kualitativ, elitar, por edhe ma produktiv, që me sjellë qëndrueshmëni e me shmangë transformizmin e paparimtë politik, tue përfaqësue krejt elektoratin e bashkësitë e veçanta të shtetasve. Një ndërthurje mes proporcionalitetit, përfaqësisë në numra të komuniteteve tradicionale dhe shkollimit të garantuem për deputetët do të ishte i domosdoshëm, për të garantue që Parlamenti të bëhej Përfaqësia e Zonjave dhe Zotnive të Shqipnisë. Dhe në këtë ndërhymje, zvogëlimi i numrave artificialë të përfaqësimit të Fierit, Elbasanit dhe Durrësit, ndërtue enkas për kopsitje socialiste të rezultateve, dhe zmadhimi i numrave të Shkodrës dhe Korçës, për me mundësue ma mirë përfaqësimin e veçantë të këtyne dy qendrave qytetare shqiptare të diskriminueme, mbetet nji obligim i qeverisjes së re. Jo numri aktual i popullsisë vetëm, por përbamja etnografike e Shqipnisë, duhet të shërbeje si kriter shpërndamjeje të kolegjeve elektorale. Shqipnia ka nevojë për nji ndërhymje fort mirë të studiueme në forcimin e laicitetit e shekullarizmit, qi me rregullue sjelljen politike brenda institucioneve shtetnore, por edhe ato të marrëdhënieve me jashtë. Religjionet mbesin brenda institucioneve të mbrojtuna dhe të garantueme, ndërsa sfera publike i përket shtetit albanianist, që mban të bashkuem nacionin.
Ndër hapat e parë që duhet me u ndërmarrë prej qeverisë tranzitore, ka me kenë ndryshimi i ligjit mbi partitë politike në të tana aspektet, ligj që duhet t’i kthejë ato në koalicione të mëdha interesash me programe kombëtare. Kjo sepse historia politike në nji vend demokratik asht histori e elektorateve dhe e përzgjedhjeve të tyne të lira, e jo fryt i vendimeve të imponueme personale të disa individëve që drejtojnë forcat politike, siç po ndodh me dhimbje sot në shtetin që lejon shitblerjen e partive politike me bekim të kontrollorit të mazhorancave, kalimin e shitësve të partive, për kompensim çmimesh të zvogëlueme, në funksione paralele të nalta ndër sfera që nuk u përkasin, etj. Nji demokraci zgjedhore asht në thelb nji shtet ku partitë politike konkurrojnë me zgjedhje të lira e me ndarje të pushteteve; nji shtet që mbron plotësisht të drejtat e liritë civile universale e imponon shtetin e së drejtës e barazinë para ligjit. Nji mision i tillë nuk mundet me kenë funksional pa u demokratizue partitë politike shqiptare.
Duhet me u kuptue se për shqiptarët ka ardhë koha me ia heqë rrugaçëve, të fortëve dhe komanduesve të interesave të nëndheshme kontrollin që kanë ushtrue deri më tash mbi jetën publike e mbi garancitë juridike; me shfuqizue ligjet e ngrituna në dâm të jetës, lirive e pronës së shqiptarëve; me rikthye shtetin në shërbim të qytetarëve e jo të kastave; dhe me largue përfundimisht prej kontrollit të jetëve tona kastën e maskarênjve të fundit të viteve ’80 e trashëgimtarët e tyne politikë, që për dekada e kanë mbajtë peng të ardhmen e Shqipnisë, prej ekonomisë në arsim e shkencë, me fijet e padukshme të mëkatit të dikurshëm.
Pyetja themelore që shtrohet asht kjo: kush ka me i krye këto reforma dhe mbi çfarë legjitimiteti? A ekziston nji rrugëdalje kushtetuese prej kësaj krize? Sigurisht që po. Rendi kushtetues i Shqipnisë nuk asht pa zgjidhje. Paraqiten disa rrugëdalje të mundshme, por ma e shëndosha mbetet nji marrëveshje kombëtare parlamentare për krijimin e nji Qeverie Kalimtare të Rivendosjes Kushtetuese, me mandat të kufizuem për realizimin e reformave dhe organizimin e zgjedhjeve të lira. Në mungesë të nji marrëveshjeje të tillë, mbetet edhe mundësia që shumica parlamentare të propozojë nji Kryeministër të ri, me frymë reformuese, integritet moral dhe kulturë shtetformuese, i cili të marrë përsipër të njëjtin mision kalimtar.
Gjithsesi, rruga ma institucionale dhe ma e përgjegjshme do të ishte që Parlamenti, në emën të interesit kombëtar, të miratonte nji marrëveshje politike për krijimin e kësaj qeverie, me mandat prej nëntë deri në dymbëdhjetë muejsh, me nji kalendar të detyrueshëm reformash kushtetuese e ligjore dhe me detyrimin për të organizue zgjedhje të lira në përfundim të mandatit të saj. Kjo do të ishte mënyra ma e sigurt për me i kthye sovranitetin qytetarëve, me shmangë nismat qesharake bulevardeske, me rivendosë besimin te Republika dhe me garantue që reformat të mos jenë pronë e asnji force politike, por e vetë shtetit.
Në rast se nji marrëveshje e tillë nuk arrin me u realizue, përgjegjësia historike bie mbi mazhorancën aktuale, por jo vetëm. Ajo ka ende mundësinë me propozue nji Kryeministër të lirë prej barrës së konfliktit politik, me integritet të padiskutueshëm, autoritet moral dhe kulturë shtetformuese, i cili, i mbështetun prej nji kabineti ekspertësh të nivelit të naltë e të konfirmuem ndërkombëtarisht dhe nën mbikëqyrjen e Parlamentit, të marrë përsipër të njajtin mision reformues, të propozuem ma nalt. Ky nuk do të ishte vazhdim i sistemit të deritashëm, por fillimi i çmontimit të tij përmes mjeteve kushtetuese, logjike dhe të konfirmueme prej ekspertësh europianë.
Qeveria kalimtare nuk duhet të jetë nji qeveri e zakonshme politike dhe as nji instrument për zëvendësimin e nji mazhorance me nji tjetër. Ajo duhet të jetë nji qeveri e rivendosjes kushtetuese, e ngritun brenda rendit kushtetues, mbi bazën e nji marrëveshjeje të gjanë parlamentare dhe të mbështetun prej shumicës së deputetëve të Kuvendit.
Mandati i saj duhet të kufizohet në administrimin normal të shtetit, rivendosjen e besimit te institucionet, përgatitjen dhe miratimin e reformës kushtetuese, reformës zgjedhore, reformës së partive politike dhe ligjeve organike që garantojnë ndarjen e pushteteve, pavarësinë e institucioneve, funksionimin korrekt të drejtësisë dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme, përfshirë zgjedhjen e nji Presidenti të ri të Republikës drejtpërdrejt nga populli. Asnji prej anëtarëve të kësaj qeverie, nuk duhet të kandidojë në zgjedhjet që do të organizohen në përfundim të këtij misioni, në mënyrë që çdo vendimmarrje të jetë krejtësisht e paanshme dhe vetëm në shërbim të Republikës.
Rrugëdalja e Shqipnisë qëndron tek rivendosja e sovranitetit të Kushtetutës mbi pushtetin e partive, tek rikthimi i institucioneve mbi interesat e individëve dhe tek ndërtimi i nji Republike ku kurrkush mos me pasë ma mundësi me uzurpue shtetin në emën të nji shumice të përkohshme e me thanë ‘kam legjitimitet të pakufizuem në veprim e në kohë’. Vetëm mbi këtë themel mund me u organizue zgjedhje vërtet të lira, prej të cilave me dalë nji qeveri me legjitimitet të plotë politik e moral.
Romeo Gurakuqi
Shkodër, me 5 korrik 2026



