Kryeministri i Maqedonisë, Hristijan Mickoski ka finalizuar përbërjen e re të kabinetit qeveritar në kuadër të rikonstruksionit të Qeverisë.
Propozimi me emrat e ministrave të rinj pritet t’i dorëzohet Kuvendit deri më 3 korrik, ku deputetët do të vendosin për miratimin e tij.
Rikonstruksioni përfshin ndryshime në shtatë ministri, me emërime të reja, rokada ndërmjet resorëve dhe ndryshime në strukturën e ekzekutivit.
Sipas propozimit, shtohet një ministër pa portofol nga komuniteti rom, ndërsa shfuqizohet Ministria për Qeverisje të Mirë, kompetencat e së cilës do të kalojnë nën Kabinetin e Kryeministrit, shkruan Zhurnal.mk.
Pavarësisht ndryshimeve, përbërja e Qeverisë mbetet me 24 anëtarë – Kryeministrin dhe 23 ministra.
Sipas propozimit, nga radhët e VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve të saj, Sasho Klekovski propozohet ministër i Shëndetësisë, duke kaluar nga posti i drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor.
Gjoko Velkovski propozohet ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, ndërsa Ivan Stoilkoviç kalon në postin e ministrit të Vetëqeverisjes Lokale. Po ashtu, Exhjan Demir propozohet ministër pa portofol, përgjegjës për integrimin e romëve.
Nga koalicioni VLEN, Jeton Shasivari propozohet ministër i Drejtësisë, Sedat Sulejmani ministër i Kulturës dhe Turizmit, ndërsa Agon Ferati zëvendëskryeministër dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive.
Në kuadër të Lëvizjes ZNAM, Borçe Serafimovski propozohet ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, ndërsa Goran Minçev mbetet ministër i Administratës Publike.
Kryeministri Mickoski njoftoi gjithashtu se me këtë rikonstruksion shfuqizohet vendi për Qeverisje të Mirë, i cili mbeti vakant pas dorëheqjes së ministrit Arben Fetai. Kompetencat e këtij dikasteri do të ushtrohen nga Kabineti i Kryeministrit.
Një tjetër ndryshim në përbërjen e shumicës qeverisëse është hyrja e Partisë Demokrate të Turqve (PDT) në koalicionin qeveritar. Sipas Mickoskit, kjo parti do të përfaqësohet në ekzekutiv me një ministër pa portofol.
Propozimi për rikonstruksionin e Qeverisë pritet të shqyrtohet dhe të votohet në Kuvend gjatë ditëve në vijim./ Zhurnal.mk.



