‘Zvërneci’ si shfaqje e thelbit të Autokracisë | Prof. Arben Hoxha, Prishtinë

spot_img
Advertisements

nga Prof. Arben Hoxha

Hyrje
Protestat për dhe rreth Zvërnecit në jetën e botës shqiptare kanë ngjallur debate dhe kanë provokuar gjykime të ndryshme vlerësuese: nga gjykimi se qeveria shqiptare ka kryer “tradhti kombëtare” përmes “shitjes së tokave shqiptare”, te gjykimi se masa e protestuesve është manipuluar nga agjentura të jashtme; nga pretendimi për kapjen e shtetit nga oligarkët, te pretendimi për ndërhyrjen e shërbimeve sekrete antishqiptare me qëllim të shkëputjes së Shqipërisë nga orbita e interesit amerikan. Protestat, jo pak, edhe në Kosovë, te kundërshtarët e Edi Ramës, ngjallën ndjenjën e nevojës për validimin e rëndësisë së së majtës ekstreme në hapësirën publike shqiptare, ashtu si edhe të ekstremizmit fetar islam me kauzën “universale” të domosdoshmërisë së mbrojtjes nga rreziku i sionizmit izraelit.
A mund të reduktohet revolta e Zvërnecit vetëm në një akt spontan të ndjeshmërisë popullore kundrejt sulmit fizik të pjesëtarëve të policisë private ndaj një qytetari? Pse Zvërneci u bë forca tërheqëse e të gjitha trajtave të pakënaqësisë në jetën e shqiptarëve?

E drejta civile si rregullatore e praktikës së lirisë
Që nga rënia e komunizmit, shtetin shqiptar e ka karakterizuar çarja e brendshme midis drejtësisë dhe politikës. Pakënaqësinë dhe revoltën ndaj shtypjes ekonomike e sociale, politika i ka relativizuar me entuziazmin për fitoren e dikurshme ndaj komunizmit ose me diskursin për perspektivën evropiane. E paaftë për t’i vënë në rrezik fitoret e saj të djeshme përmes synimeve dhe angazhimeve të reja për zhvillim të përgjithshëm shoqëror, ajo është pozicionuar në istikamin e rehatisë konsumeriste, duke vegjetuar mbi potencialin e pafund të jetës dhe të burimeve natyrore shqiptare.
Drejtësia është komponenti thelbësor që përcakton lojalitetin ose mungesën e tij të qytetarit ndaj shtetit. Si e tillë, ajo është garantuese e qëndrueshmërisë së shtetit, e ekuilibrave ndërmjet interesave të kundërta dhe e tejkalimit të konflikteve të brendshme. Më shumë sesa pamja e tërheqjes zvarrë të qytetarit nga policia private, revoltën e madhe të qytetarëve për dhe rreth Zvërnecit e shkaktoi mosveprimi i organeve shtetërore të rendit ndaj një situate të tillë poshtëruese, kur gjithçka ndodhte para syve të tyre. Një situatë e tillë e dëshmoi në mënyrë të dukshme se sa e thellë është kundërthënia jo vetëm midis politikës dhe drejtësisë, por edhe ndërmjet vetë segmenteve të drejtësisë. Kur politika i mbivendoset drejtësisë, deri në nënshtrimin e saj, drejtësia, me kapacitete vepruese selektive, bëhet e paaftë për t’iu përgjigjur nevojave të tërësisë së sistemit të vlerave të përbashkëta dhe për të ruajtur harmoninë shoqërore e institucionale shtetërore.
Rritja e fuqisë vepruese të politikës në kurriz të drejtësisë rrit edhe kapacitetet e autokracisë në funksion të legjitimimit të procesit të komodifikimit të të mirave publike. Në këtë proces, burimet që konsiderohen të përbashkëta dhe të destinuara për interesin publik shndërrohen në mallra që tregtohen në treg dhe i nënshtrohen logjikës së fitimit ekonomik, në shërbim të interesave të një grupi të vogël njerëzish me pushtet politik, ekonomik dhe mediatik.
Gërryerja e besimit të qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore dhe prishja e kohezionit social janë pasoja të shkaktuara nga vetë raporti shpërfytyrues që politika ka vendosur me drejtësinë. Ideja e shtetit të së drejtës është një kategori non grata për mentalitetin e politikëbërjes shqiptare. Mosekzistenca e idesë së shtetit të së drejtës ka krijuar te qytetarët një bindje lehtësisht të verifikueshme se ligji zbatohet nga shteti me standarde të dyfishta: një standard për qytetarët e zakonshëm dhe një tjetër për politikanët dhe të fuqishmit. Fuqizimi i standardeve të dyfishta në zbatimin e ligjit e ka normalizuar idenë e forcimit të normave informale dhe të klientelizmit në kurriz të normave formale dhe meritokracisë. Kjo ka shkaktuar humbjen e besueshmërisë ndaj arbitrit institucional, me ç’rast kontestet juridike barten vazhdimisht në arenën politike për t’u mbytur aty.
Me parimin e saj rregullues, e drejta civile, si përbërëse e sistemit të drejtësisë, përbën fuqinë garantuese të besimit brenda hapësirës horizontale të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet individëve dhe të shoqërisë në përgjithësi, si dhe garantuese të besimit në hapësirën vertikale të marrëdhënies me shtetin. Shtetet autokratike dhe diktatoriale, për shkak se udhëhiqen nga parimi i nënshtrimit dhe kontrollit, duke duke fuqizuar parimin ndëshkues në dëm të parimit rregullues brenda sistemit të drejtësisë, energjitë e tyre institucionale i orientojnë drejt atyre njësive të sistemit të drejtësisë që rregullojnë hapësirën vertikale të fushëveprimit të besimit të qytetarëve ndaj autoritetit të parties ose liderit politik.
Në kontekstin e tensionit ndërmjet dinamikave përshpejtuese për integrim në Bashkimin Evropian, interesit për zhvillim ekonomik dhe zgjerimit të pushtetit politik, Zvërneci është një topos lakmues që shpërfaq kapacitetet e ulëta të politikës shqiptare për përbrendësimin e parimit themeltar të sistemit të vlerave të përbashkëta: besimit që ndërtohet dhe realizohet nëpërmjet së drejtës civile. Zvërneci është manifestim i revoltës së së drejtës civile brenda sistemit unik të juridiksionit shtetëror shqiptar, të poshtëruar dhe të mohuar nga politika tashmë për më shumë se tridhjetë vjet.
Në rendin e njësisë së së drejtës civile, si pjesë përbërëse e tërësisë së sistemit të drejtësisë, mishërohet gjendja e lirisë në drejtpërdrejtësinë e jetës praktike të një kombi, e cila përfshin të gjitha rrafshet e ekzistencës: institucionale-shtetërore, kulturore, sociale, ekonomike, gjeopolitike etj. Në të gjitha këto fusha të ekzistencës, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, është i pranishëm fenomeni i Zvërnecit. Solidariteti për dhe rreth Zvërnecit, i dalë nga përvoja e së drejtës civile të shpërfytyruar nga autokracia përmes mbivendosjes së politikës mbi drejtësinë, është pasqyrimi i njëkohshëm dhe i drejtpërdrejtë i të gjitha përvojave shtypëse të botës së jetës së shqiptarëve përgjatë afro katër dekadave të fundit.
Fushëveprimi i së drejtës civile nuk kufizohet vetëm në mbrojtjen e pronës private, të lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Të drejtat civile, si pjesë e bashkësisë së objektivave dhe e vlerave që sigurojnë mbrojtjen e mirëfunksionimit të institucioneve demokratike të dala nga procese legjitime pluraliste, kanë ndikim në përcaktimin e interesit publik dhe kombëtar, e, me këtë, edhe në sigurinë e sovranitetit shtetëror. Dobësimi i së drejtës civile krijon një hapësirë të minuar për besimin publik, për zhvillimin ekonomik dhe për kapacitetet morale të vetëdijes në përcaktimin dhe përkufizimin e interesit kombëtar e shtetëror.

Autokracia si gërryese e raportit ndërmjet demokracisë dhe kombëtares
Si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, në mesin e “elitave” politike dhe kulturore ekziston një mendim sipas të cilit fuqizimi politik, ekonomik, kulturor, ushtarak etj. i Kosovës dhe i Shqipërisë është i mundshëm duke ia mbivendosur demokracinë kombëtares. E prejardhur nga pikëpamja liberaldemokratike me premisa kozmopolitane, një qasje e tillë, që afirmon mbivendosjen e demokracisë ndaj kombëtares, i mëshon idesë se sovraniteti i shtetit duhet të bazohet në parimin e qytetarisë, duke e mohuar në mënyrë radikale parimin e përkatësisë kombëtare. Mbi bazën e një koncepti të tillë të raportit ndërmjet demokracisë dhe kombëtares, nga “elitat” politike dhe kulturore shqiptare, Kosova dhe Shqipëria shihen si tërësi të veçanta, të ndara nga njëra-tjetra, të cilat tashmë e kanë realizuar potencialin e tyre historik si entitete politiko-juridike.
Mbivendosja e demokracisë ndaj kombëtares, si koncept teorik-politik, në rrafshin politologjik ka pasoja për përcaktimin e interesit kombëtar, si karburant që vë në lëvizje energjitë e shtetit për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve të vet. Ajo ka gjithashtu pasoja ontologjike, në planin e përcaktimit të raportit ndërmjet qenies dhe bërjes, ndërmjet asaj që është aktualitet dhe asaj që është potencialitet; pasoja praktike epistemologjike, në planin e zhvillimit të vetëdijes historike, kulturore dhe sociale; si dhe pasoja aksiologjike, në vlerësimin e idesë së tërësisë shqiptare si një përvojë e njësuar dhe e përjetuar kolektivisht.
Hegeli thotë se “e vërteta është tërësia”. Për shkak të rrethanave historike, e vërteta e tërësisë së kombit shqiptar fillimisht do të shfaqet si ide për të vërtetën e ekzistencës së unikumit shqiptar, e cila, duke mos qenë shëmbëllim i thelbit objektiv të realitetit të pjesëve të qenies shqiptare, do të jetë thelbi formal objektiv i së vërtetës së realizimit të tërësisë shqiptare. Ideja e së vërtetës së tërësisë shqiptare, duke iu nënshtruar modelit policentrik të të konceptuarit dhe të zbatuarit, do të shfaqet herë si objekt i një thelbi objektiv të caktuar historik e herë si objekt i një thelbi tjetër objektiv. Kështu, objekt i thelbit formal të idesë së së vërtetës së tërësisë së unikumit shqiptar do të shfaqet, fillimisht, në formën e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 dhe, më pas, në formën e shtetit të Kosovës më 2008. Këto janë dëshmi se ideja e bërjes së kombit shqiptar në praktikën historike do t’i nënshtrohet një procesi dialektik të zhvillimit të pjesëve dhe të kundërthënieve ndërmjet tyre.
Trupi shqiptar, i ndarë në pjesë, është dëshmuar si një faktor cenues për aftësitë unike reaguese të ndjeshmërisë dhe të ndërgjegjes ndaj gjendjeve, veprimeve dhe gjykimeve për dhe rreth pjesëve të tij. E furnizuar nga informacioni i ndjeshmërisë së pjesshme, ndërgjegjja e pjesshme, si vetëdije e pjesshme për veten, do të prodhojë kuptime të pjesshme për realitetin objektiv të ekzistencës shqiptare. Për rrjedhojë, realitetet e pjesëve nuk do të kenë të njëjtat dimensione të efektshmërisë emocionale dhe voluntariste në opinionin publik shqiptar. Kështu, ndërsa do të ketë një solidaritet ekzaltues mbarëshqiptar për dhe rreth Zvërnecit, si një çështje me interes kombëtar, e njëjta nuk mund të thuhet për rastin e protestave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut për zbatimin e së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. “Lëvizja Vetëvendosje” është e zëshme për dhe rreth Zvërnecit, por u tregua e heshtur për protestat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut lidhur me statusin e gjuhës shqipe.
Në kontekstin e bërjes së kombit shqiptar, njësimi i ndjenjave, i vullnetit dhe i vetëdijes kombëtare shqiptare është vështirë i realizueshëm përmes modelit të mbivendosjes së demokracisë ndaj kombëtares apo anasjelltas. Mbivendosje të tilla, në një proces bërjeje, krijojnë hapësirë veprimi për autokracinë, e cila shndërrohet në pengesë për marrëdhënien reciproke ndërmjet kombëtares dhe demokracisë. Autokracia duke instrumetalizuar herë demokracinë e herë kombëtaren, me kërkesat e veta monolitike, krjon njësim të rrejshëm të ndjenjave, vullnetit dhe vetëdijes. Procesi i bërjes bëhet më i vështirë dhe më degradues kur raporti ndërmjet demokracisë dhe kombëtares përcaktohet nga autokracia.
Autokracia është antigjeni, cak i të cilit është dekompozimi i trupit të marrëdhënies ndërmjet demokracisë dhe kombëtares. Protestuesit kërkojnë largimin e Ramës dhe Berishës, dy simbole të mendësisë autokratike. Ndërrimi i emrave, apo edhe krijimi i ndonjë partie të re politike, nuk është garanci për vendosjen e një marrëdhënieje të shëndetshme ndërmjet demokracisë dhe kombëtares. Kurimi duhet të fillojë nga diagnostikimi i sëmundjes dhe i objektivave të sulmit të saj. Duke e zëvendësuar vullnetin e qytetarëve me vullnetin e udhëheqësit politik, modeli autokratik i qeverisjes në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, ka arritur kulmin e dobësimit të së drejtës dhe të lirisë së qytetarëve për pjesëmarrje në vendimmarrjen publike. E drejta dhe liria qytetare janë vektori që mban lidhjen ndërmjet demokracisë dhe interesit kombëtar. Goditja e këtij vektori, me efekt domino, shkakton, në njërën anë, humbjen e besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit, ndërsa, në anën tjetër, krijon një gjendje apatie të vetëdijes për interesin kombëtar.
Zvërneci është simptomë e shpërfytyrimit të këtij raporti, si dhe e mungesës së aftësive politikëbërëse shqiptare për akomodimin e interesit publik dhe kombëtar brenda demokracisë, por edhe të demokracisë brenda interesit kombëtar.

Autokracia si trup kanceroz në idenë e së vërtetës shqiptare
Fenomeni i protestave kundër investimeve në Zvërnec, si dhe refuzimi i investimit amerikan në sektorin e gazit në Kosovë (thuajse në sinkron: në rastin e parë, i dalë nga revolta e popullit, ndërsa në rastin e dytë, si akt refuzimi politik nga qeveria), janë tregues të efekteve shpërfytyruese që prodhon autokracia në vetëdijen publike shqiptare për dhe rreth interesit kombëtar. Në vend që të flasë guximi i vizionit për të ardhmen, në jetën e kombit shqiptar vazhdon të dëgjohet zëri i dyshimit dhe i frikës, i ardhur nga e kaluara. Kjo më kujton një situatë në romanin “Ringjallja” të Tolstoit, kur aristokrati Dmitri Nekhljudov ballafaqohet me muzhikët, fshatarët që punojnë në tokat e tij. Si anëtar jurie në një gjykatë, Dmitri kalon nëpër një proces transformimi moral e shpirtëror pasi përballet me ndjenjën e fajit personal për mënyrën se si kishte ndikuar në jetën e Katiusha Maslovës, gruas që dikur e kishte joshur dhe më pas e kishte braktisur. Në këtë proces transformimi, ai arrin të kuptojë se pozita shoqërore e një individi ndikohet nga trajtimi që merr prej shoqërisë dhe drejtësisë, si dhe se njerëzit, pavarësisht prejardhjes klasore, kanë të njëjtën vlerë morale. Këtë transformim të brendshëm të vetëdijes morale dhe njerëzore, Dmitri dëshiron ta transmetojë në praktikën e botës së jashtme përmes ofertës që u bën muzhikëve: se nuk do t’i trajtojë më si skllevër, por se tokat e tij do t’ua japë atyre dhe se nga frytet e punës së tyre do të marrë vetëm aq sa t’i sigurojë mbijetesën. Por vetëdija e muzhikëve për vlerën e tyre njerëzore nuk është e përgatitur, në mënyrë reciproke, në të njëjtën shkallë me vetëdijen transformuese të zotërisë së tyre. Të zënë në befasi, ata ofertën e Dmitrit e shohin si kërcënim, si akt të një tjetër shpirtligësie të tij, si shprehje të babëzisë dhe makutërisë. Revolta e muzhikëve nuk është moment guximi për zbulimin e dinjitetit që kërkon njohjen e barazisë së qenies së tyre njerëzore, por shprehje e përvojës së frikës së tyre të djeshme.
Autokracia i mban dhe i ushqen frikërat e së djeshmes për të kontrolluar të tashmen dhe të ardhmen. Ajo është një trajtë dehumanizuese e njeriut, e cila e privon atë nga vlera e dinjitetit të vet. Në mungesë të vetëdijes për vlerën e dinjitetit njerëzor, njeriu e humbet aftësinë për të përcaktuar interesin që i shërben vitalitetit të jetës së tij.


Përfundim
Shpërthimi i protestave në Tiranë për dhe rreth Zvërnecit është shfaqje e thelbit të shpërdorimit të demokracisë pas divorcimit të saj nga interesi publik dhe kombëtar, përmes mbivendosjes së autokracisë tashmë për më shumë se tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit. Ndërhyrja brutale e autokracisë në praktikën e jetës politike shqiptare ka prodhuar efekte paqëndrueshmërie në parimet doktrinare që përcaktojnë karakterin e marrëdhënies ndërmjet demokracisë dhe interesit publik e kombëtar. Efektet e mbivendosjes së autokracisë, si përcaktuese e marrëdhënies së demokracisë me kombëtaren, në jetën politike dhe institucionale shqiptare manifestohen përmes luhatjes së vazhdueshme të parimit të demokracisë liberale: nga zona e parimit popullist-nacionalist drejt zonës së parimit kozmopolit dhe anasjelltas.
Ndarja e demokracisë nga kombëtarja dhe vendosja e së parës mbi të dytën e fuqizon parimin e universalizmit liberal kundrejt parimit sovranist. Duke e përjashtuar parimin sovranist nga politikëbërja shqiptare, interesi kombëtar rrëshqet brenda kuadrit universal të normave konsumiste globale. Zvërneci është rebelimi kundër përjashtimit të qytetarëve nga vendimmarrja në dhe për sferën publike, si formë e dhunës sistemike dhe të padukshme në rrafshin e së drejtës civile. Ai është shfaqja fizike e kësaj dhune brenda tensionit që shkakton procesi i kalimit nga të qenit në të bërit e tërësisë shqiptare.
Në kontekstin e ri gjeopolitik të këtij fillimshekulli, fuqizimi i marrëdhënies së shëndoshë ndërmjet demokracisë dhe kombëtares është rruga më premtuese për realizimin e idesë së totalitetit të së vërtetës së qenies shqiptare. Autokracia nuk është vetëm ngadalësim, por edhe pamundësim i realizimit të kësaj ideje.

spot_img

Latest articles

Related articles