Në adresën e redaksisë ka ardhur një shqetësim nga një grup mësuesish dhe nxënësish për Shkollën Tregtare në Vlorë, ku sipas informacioneve do të mbyllet për tu hapur rrugë, ngritjes së pallateve:
Ja mesazhi:
Përshëndetje i nderuar,
Dua të ngre një shqetësim shumë të madh që lidhet me fatin e Shkollës Tregtare të Vlorës, një institucion me histori që prej vitit 1924. Sipas informacioneve që qarkullojnë, kjo shkollë rrezikon të mbyllet dhe në territorin e saj, në zonën e Ujit të Ftohtë, parashikohet të ndërtohen pallate.
Aktualisht, shkolla edukon mbi 300 nxënës në fushat e hoteleri-turizmit dhe ekonomisë, duke qenë një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit profesional në jug të vendit.
Ju lutem, ngrijeni zërin për këtë çështje. Një shkollë me vlera historike, arsimore dhe kulturore nuk duhet të zhduket. Do të ishte e dhimbshme që një institucion pothuajse një shekullor, një shkollë që përfaqëson një pjesë të historisë së Vlorës, të përfundojë nën fadromë.
Faleminderit për vëmendjen dhe mbështetjen tuaj.



