Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Ilir Alimehmeti, ka komentuar në MCN Live protestën 10-ditore që po zhvillohet me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, duke e lidhur atë me zhvillimet e nisura në Zvërnecin dhe me një debat që sipas tij është thellësisht politik.
Ai thekson se kërkesat e protestës janë legjitime, por nënvizon se në terren po shfaqen edhe rryma dhe qëndrime të ndryshme politike.
Është një protestë e bukur, qytetare, moderne që ka një jehonë të madhe mediatike dhe ndërkombëtare, që nisi me Zvërnecin, por po ta shohësh rrugës debati është politik. Të gjitha kërkesat janë politike, që do të thotë se gjithçka është politike: kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit apo për reformën zgjedhore nuk ka më shumë se kaq politikë.
Tani pse pika e vlimit ishte Zvërneci? Ishte ky, sepse situata është shumë më e gjerë. Mendoj se në këtë moment është një protestë që duhet mbështetur, kërkesat janë legjitime, korrekte dhe duhen mbështetur. Më pas aty ka dhjetëra rryma të ndryshme, qoftë parti politike apo organizata joqeveritare, që kanë qëndrime të ndryshme, siç janë ata që kërkojnë ‘Rama në burg’, ‘Berisha në burg’.
Organizatorët nuk e dimë se kush janë, por diku do të shfaqen. Por unë besoj se shumica dërrmuese e shqiptarëve e gjejnë veten te pesë kërkesat zyrtare. Pra, nuk bëhet fjalë për një investim të vetëm, Zvërneci ishte pika që e nisi.
Mendoj se pika e parë, dorëheqja e Ramës, është pika kyçe e kësaj proteste. Duhet një fushë e drejtë loje, e pastër, me rregulla, sepse nuk ka asnjë shans askush. Unë jam për pluralizmin, kam mentalitet të djathtë, për mua fitoftë më i miri, por nuk duhet të ngatërrojmë thirrjet me kërkesat zyrtare. Emëruesi i përbashkët duhet mbështetur nga të gjithë. Në protestë duhet të merret një lëvizje politike.



