Pas një karriere që zgjati shtatë dekada, duket se Clint Eastwood është tërhequr nga filmat, si para ashtu edhe pas kameras.
Aktori dhe regjisori legjendar amerikan Clint Eastwood mbushi 96 vjeç fundjavën e kaluar (31 maj) dhe mund të kemi konfirmim se ylli i Hollivudit tashmë e ka mbyllur karrierën e tij si aktor dhe regjisor.
Në një intervistë me median franceze France 3 , djali i Eastwood, muzikanti dhe kompozitori Kyle Eastwood, zbuloi se babai i tij është twrhequr në heshtje.
«Kam shumë kujtime të mira nga puna me të. Tani ai është në pension, është 96 vjeç», tha Kyle Eastwood, para ditëlindjes së babait të tij. «Por kam qenë shumë me fat që kam mundur të punoj me të në shumë filma. Ishte një përvojë e shkëlqyer për mua».
Clint Eastwood filloi të luante në ekran në mesin e viteve 1950 dhe bëri emër në vitet ’60 në zhanrin Western, me një treshe filmash të drejtuar nga Sergio Leone – A Fistful Of Dollars (1964), For A Few Dollars More (1965) dhe The Good, The Bad And The Ugly (1966) – i njohur edhe si “Trilogjia e Dollarëve”.
Gjatë një karriere që zgjati shtatë dekada, Eastwood vazhdoi të bënte përshtypje në klasike si Dirty Harry (1971), Magnum Force (1973), The Enforcer (1976), Sudden Impact (1983) dhe The Dead Pool (1988) – në të cilat ai luajti rolin e policit rebel Harry Callahan.
Interpretime të tjera të paharrueshme në ekran përfshijnë filma si The Beguiled , Thunderbolt And Lightfoot , Escape From Alcatraz , Pale Rider , Unforgiven , Million Dollar Baby dhe Gran Torino .
Puna si regjisor e Clint Eastwood filloi në vitin 1971 me filmin “Play Misty For Me”. Ai vazhdoi të drejtonte gjatë gjithë karrierës së tij, me tituj si “Bird”, “The Rookie”, “Unforgiven”, “The Bridges of Madison County”, “Midnight in the Garden of Good and Evil”, “Mystic River”, “Million Dollar Baby”, diptiku “The Flags Of Our Fathers / Letters From Iwo Jima”, “Invictus”, “American Sniper”, “Sully and Richard Jewell”.



