nga Shpëtim Axhami. KREU I PLL
Revolta e Spaçit mbetet një nga dëshmitë më të forta se komunizmi në Shqipëri u mbajt me terror, burgje dhe pushkatime.
Më 21 maj 1973, si sot 53 vite më parë, të burgosurit politik të Spaçit u ngritën kundër një sistemi çnjerëzor që mohonte lirinë, dinjitetin dhe vetë jetën njerëzore.
Ata kërkuan të drejta, refuzuan nënshtrimin dhe ngritën flamurin kombëtar pa simbolin komunist një akt i hapur sfide ndaj diktaturës.
Regjimi iu përgjigj me dhunë, ridënime dhe ekzekutime. Më 23 maj, revolta u shtyp me forcë nga ushtria dhe policia e regjimit.
Katër prej organizatorëve u pushkatuan, por nuk kërkuan mëshirë:
- Dervish Bejko
- Pal Zefi
- Skënder Daja
- Hajri Pashaj
Tetë të tjerë u dënuan me nga 25 vite burg.
Ne sot kemi detyrimin moral dhe kombëtar të kujtojmë me nderim të gjithë ata që sakrifikuan, u burgosën, u internuan dhe dhanë jetën, pa u pajtuar kurrë me komunizmin dhe diktaturën.
Fatkeqësisht, edhe pas më shumë se tri dekadash demokraci:
Krimet e komunizmit nuk u dënuan kurrë siç duhej;
-Fajtorët e atyre krimeve nuk u përballën me drejtësinë.
-Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit nuk u hapën plotësisht;
-Viktima dhe persekutori shpesh u trajtuan njësoj, madje ky i fundit u favorizua në pushtet dhe në jetën publike.
Politika e tranzicionit, e trashëguara në shumicën e rasteve nga mendësia e regjimit të kaluar, patën gjithmonë frikë nga fuqizimi i shtresës antikomuniste, shtresë që kishte dhënë prova sakrifice, shtetformimi dhe atdhedashurie pa komunizëm dhe pa ndikim sllav.
Prandaj sot, më shumë se kurrë, kërkohet bashkim rreth vlerave të së djathtës së vërtetë i të gjithë trashëgimtarëve të atyre familjeve që përballuan me dinjitet terrorin komunist për të siguruar një shtet të fortë, për më tepër ligj, drejtësi dhe liri.
Revolta e Spaçit konsiderohet një nga aktet më të rëndësishme të rezistencës antikomuniste në Shqipëri dhe në Evropën Lindore.
Spaçi është kujtesë se liria nuk dhurohet ajo fitohet me sakrificë.
Harresa është rrezik. Kujtesa është detyrim.
Lavdi martirëve të lirisë🇦🇱



