Diaspora shqiptaro-amerikane po ndjek me shqetësim të thellë zhvillimet destabilizuese dhe tensionet e rrezikshme në Maqedoninë e Veriut, lidhur me protestat legjitime të studentëve shqiptarë në Shkup. Për këtë arsye, i drejtohemi me përgjegjësi të gjitha partive politike shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe faktorëve politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
I drejtohemi gjithashtu koalicionit “Vlen” dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili prej vitesh është përpjekur të shitet si patriot, ndërkohë që sot rrugët e Shkupit po dëshmojnë dështimin spektakolar të klasës politike shqiptare dhe tradhtinë ndaj interesave kombëtare.
Është krejtësisht e papranueshme që studentët shqiptarë nga Tirana dhe Kosova të ndalohen në kufi vetëm pse kërkojnë të mbështesin vëllezërit dhe motrat e tyre në Shkup, ndërkohë që studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut përballen me gaz lotsjellës, me represion policor dhe me prangat e nacionalistëve serbo-maqedonas të drejtuar nga Mickovski. Ndërsa kjo ndodh, ju vazhdoni teatrin e neveritshëm politik për ruajtjen e pushtetit dhe pazaret e radhës politike.
Koha e mashtrimeve të Ali Ahmetit dhe drejtuesve të “Vlen” po mbaron. Ju nuk mund të jeni njëkohësisht edhe me xhelatin edhe me viktimat. Nuk mund të ndani pushtetin me ata që shtypin shqiptarët dhe më pas të dilni para popullit si “mbrojtës të kombit”.
Koalicioni “Vlen” duhet ose të japë menjëherë dorëheqjen, ose të dëshmojë përgjegjësi të vërtetë politike dhe kombëtare deri në plotësimin e plotë të kërkesave legjitime të studentëve shqiptarë. Nuk mund të jeni pjesë e qeverisë dhe njëkohësisht të bëni opozitën ndaj partnerëve tuaj serbo-maqedonas.
Studentët shqiptarë në Shkup nuk po protestojnë për privilegje. Ata po mbrojnë dinjitetin kombëtar dhe zbatimin e Ligjit të Gjuhës Shqipe të miratuar në vitin 2019. Është absurde dhe provokuese që një nacionalist si Mickovski të guxojë të vërë në diskutim përdorimin e gjuhës shqipe — një prej gjuhëve më të vjetra të Europës dhe identitetit tonë kombëtar.
Mickovski duhet ta kuptojë qartë se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë më shqiptarët e viteve ’90 që vriteshin dhe dhunoheshin nga strukturat represive serbo-maqedonase. Maqedonia e Veriut ose do të jetë shtet i barabartë për të gjithë qytetarët e saj, ose do të vazhdojë të jetojë në krizë të përhershme politike dhe etnike.
Pa zbatimin e plotë të Ligjit të Gjuhës Shqipe, kjo qeveri ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik. Komuniteti ndërkombëtar dhe SHBA-të duhet të kërkojnë llogari: kujt po i shërben destabilizimi i ri i Ballkanit Perëndimor?
Natyrshëm lind pyetja: kush përfiton nga tensionimi i rajonit? Përgjigjja është e qartë. Çdo destabilizim në Ballkan i shërben drejtpërdrejt strategjisë së Vladimir Putinit dhe Aleksandër Vuçiçit, të cilët kërkojnë zhvendosjen e vëmendjes nga lufta, terrori dhe krimet që Rusia vazhdon të kryejë çdo ditë në Ukrainë.
Heshtja e Tiranës zyrtare është po aq e rëndë sa represioni në Shkup. Pseudopatriotët që flasin për kombin vetëm në fushata elektorale, sot heshtin përballë dhunës ndaj studentëve shqiptarë. Ministri i Jashtëm i Rilindjes duket se reagon vetëm pasi merr miratimin nga “ustai” i tij politik në Beograd.
Ali Ahmeti dhe BDI duhet ta kuptojnë se Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë private e askujt. Ajo është një testament gjaku i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Sot ju akuzoni “Vlen”-in për tradhti — dhe me të drejtë. Por populli shqiptar kërkon përgjigje edhe nga ju: ku ishit për 20 vite pushtet? Pse nuk garantuat zbatimin real të Ligjit të Gjuhës Shqipe? Pse nuk imponuat implementimin e saj në çdo institucion shtetëror?
Koha e propagandës ka marrë fund. Shqiptarët kërkojnë dinjitet, barazi dhe përgjegjësi kombëtare.



