Mbledhja e sotme e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale në qytetin e Durrësit është zhvilluar me debate mes politikanvë dhe qytetarëve. Këta të fundit kanë ngritur zërin për të disatën herë kundër projektit “TID” që pritet të zhvillohet në qendrën historike të qytetit bregdetar duke theksuar se po u vidhen pronat.
Qytetarja, Rita Kazazi iu drejtua politikanëve të pranishëm me tone të ashpra duke ua theksuar atyre se projekti “TID” po gllabëron pronat që qytetarët kanë trashëguar nga paraardhësit e tyre ndër vite, e për këtë ata sigurojnë dhe dokumentacionet e duhura.
“Unë jam Rita Kazazi e grupit TID. Ne po na merret shtëpia me të padrejtë. Projekti TID pa na informuar, pa na lajmëruar pa asgjë fare, një ditë të bukur na vjen një letër për të dalë nga shtëpia.
Projekt publik thotë bashkia. Keni dëgjuar në ndonjë vend të botës të të prishet shtëpia, me hipotekë, me tokë, me tapi të vjetër, në mes të Durrësit?” u shpreh qytetarja.
Më tej, e moshuara i tërhoqi vëmendje politikanëve që ta dëgjonin deri në fund kur kërkoi që të përballet me disa prej punonjësve socialistë të bashkisë së Durrësit, që sipas saj zotërojnë nga 3-4 shtëpi.
“Mos u mërzit se zërin kështu e kam unë, mos u shqetëso ti, se unë nuk shqetësohem kur bën ti kështu. Tani, ty s’të merret shtëpia. Të më dalin këto socialistët e bashkisë që kanë nga tre-katër shtëpi. A i shembet shtëpia ndonjërit prej këtyre?” përfundoi reagimin e saj qytetarja.
Kujtojmë se prej muajsh banorët e Durrësit protestojnë kundër shembjes së banesave dhe shpronësimeve që janë larg vlerës reale të tregut. Projekti për transformimin e integruar të Durrësit, zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.



