Pasi Sali Berisha e nxori nga gara për kryetar të PD-së, Ervin Salianji është vendosur në lëvizje për ta denoncuar tek ndërkombëtarët. Ish-deputeti Salianji u është drejtuar me një letër Presidentit të Partisë Popullore Europiane (PPE), Manfred Ëeber si dhe drejtuesve të partive kryesore të qendrës së djathtë europiane pjesë e PPE-së për të shprehur shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe shkeljen e standardeve demokratike të funksionimit të saj.
Salianji kërkon nga PPE dhe drejtuesit e partive të djathta europiane një angazhim parimor dhe konstruktiv për të inkurajuar dialogun, respektimin e normave statutore dhe ruajtjen e standardeve demokratike brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ai rithekson në fund të letrës angazhimin e tij për vlerat europiane, demokracinë, shtetin e së drejtës, pluralizmin dhe integrimin europian të Shqipërisë.




