Rama mbijeton përmes bashkëpunimit me botën e errët | ANALIZA

spot_img
Advertisements

Fitim ZEKTHI

Kur një parti, sidomos ato në pushtet, kanë probleme me qeverisjen, gjërat apo reformat nuk ecin mirë, kanë probleme me besueshmërinë publike, ato ndryshojnë, ato përpiqen të ndryshojnë. Është në natyrën e pushtetit që të përpiqet të mbijetojë duke ndryshuar, duke përmirësuar gjërat që shkojnë keq, duke reflektuar dhe duke ndryshuar.

Qeveria e kryeministrit Rama është e shkatërruar nga mungesa e besueshmërisë publike, ministra dhe zëvendëskryeministra akuzohen për korrupsion. Nuk gjendet një fushë e veprimtarisë së qeverisë që të mos jetë e dyshuar se është prekur rëndë nga korrupsioni.

Në gjithë këto vite kryeministri Rama nuk ndryshon asgjë. Ai nuk ndërmerr një reformë ose nuk ndryshon gjëra që kanë të bëjnë me përmirësimin e qeverisjes, të sjelljes demokratike dhe të besueshmërisë. Sigurisht që ai çdo vit, madje edhe më shpesh, ndryshon emrat e ministrave aq shpejt dhe aq shumë sa askund, por këto në thelb janë vetëm konfirmim, madje me këmbëngulje, i mënyrës se si ai qeveris.

Nuk është fjala për të bërë ndryshime madhore që ndryshojnë gjithë kursin dhe filozofinë e qeverisjes si për shembull reformat e Vietnamit (Doi Moi) në vitin 1986 apo reformat e Gordon Brown në Britani në vitin 2007, reformat e Angela Merkel (reformat Hartz) në vitin 2010, por për ndërhyrje shumë më të vogla që të përpiqen të shmangin imazhin e një qeverie të dështuar, të korruptuar apo të pafat në sektorë të ndryshëm. Pak a shumë ndërhyrje si largimi i sekretarit të shtetit Rumsfeld në vitin 2006 pas krizës së luftës në Irak, largimi i disa ministrave nga Boris Johnson pas skandalit Partygate, ndryshimet e kabinetit qeveritar nga presidenti Macron pas protestave të jelekëve të verdhë, ndryshimi i ministrit të financave dhe guvernatorit të bankës në Turqi nga presidenti Erdogan për shkak të krizës financiare, heqja e asaj që njihet si poll tax nga Thatcher etj.

Jo asgjë nga këto, por vetëm emërime dhe shkarkime pa asnjë sens dhe asnjë shpjegim. Ky stil ka nisur që në muajt e parë të qeverisjes në mandatin e parë kur u largua pa asnjë shpjegim politik dhe publik Shkëlqim Cani, ministër i financave. Më pas kjo u bë rrugë, por një rrugë komplet antipolitike sepse asnjë largim nuk është bërë si ndërhyrje për të ndryshuar kurs, për të ndrequr besueshmërinë dhe qeverisjen. Madje vetëm me këtë nuk ka pasur të bëjë në thelb.

Asnjë ministër i qeverisë Rama nuk ka dhënë dorëheqjen ose nuk është shtyrë të largohet nga Rama për shkak të akuzave përkorrupsion.

Sjellja e qeverisë Rama ka ecur në dy linja. Sigurisht edhe në rastin e kryeministrit Rama pushteti me natyrën e tij vepron njëlloj, përpiqet të mbijetojë, ndërmerr veprime në funksion të mbijetesës dhe rritjes së tij. Çështjet e ministrave dhe zyrtarëve shumë të lartë të korruptuar Rama është përpjekur t’i zgjidhë në mënyrë komplet jopolitike. Ndryshe nga vendet e tjera ku kryeministri pasi një ministër dështon, ngecin reformat, bëhet pjesë e një skandali apo akuzohet për korrupsion, e largon atë, Rama sillet ndryshe. Rama me pushtetin e vet okult ose me pushtetin e vet mbi prokurorinë dhe gjykatat mëson që një ministër po hetohet dhe e largon atë shumë më përpara. Në Angli, Francë, Spanjë kryeministri nuk mund ta mësojë se një ministër i tij akuzohet. Pra gjëja e parë, Rama përdor prokurorinë dhe gjykatën për të menaxhuar krizën.

Gjëja e dytë dhe më e rëndësishme që bën kryeministri Rama, domethënë pushteti i tij, është mbrojtja me atë që ai ka si identitet bazë. Pushteti, thotë Bertrand de Jouvenel, ka vetëm një natyrë, kërkon vetëm të rritet sepse vetëm ashtu ai mendon të mbijetojë më mirë. Këtë rritje ai synon ta bëjë duke u shumuar ose duke forcuar ato që i ka si pjesët e tij më themelore, duke u shumuar ose u rritur tek elementët e tij më të fortë të brendshëm.

Kësisoj pushteti i Ramës nuk tenton të rregullohet, të ndreqet, të përmirësojë imazhin që të bëhet më i fortë dhe të sigurojë mbijetesën në këtë mënyrë, por tenton të thellojë përdorimin e institucioneve, të thellojë kontrollin e njerëzve me anë të korrupsionit, të rrisë korrupsionin, të forcojë edhe më shumë bashkëpunimin me krimin e organizuar dhe me bizneset klienteliste. Në fund të fundit kjo është natyra e pushtetit. Rama ka ndërtuar që në fillim një pushtet që bashkëpunon me njerëz që vijnë nga bota e krimit dhe me njerëz të fortë dhe klientelistë të biznesit. Për pasojë korrupsioni, zullumi, qeverisja e keqe, shpërdorimi dhe papërgjegjshmëria janë të pashmangshme. Mënyra e vetme e mbijetesës dhe e rritjes së këtij pushteti (dhe kjo është ligjësi) është rritja përmes këtyre elementëve. Për këtë arsye Rama nuk sillet siç sillen kryeministrat apo qeveritë e tjerë kur qeverisja ka dështime apo kur besueshmëria bie. Për këtë arsye Rama mbrojti dhe vazhdon të mbrojë me forcë dhe me një sjellje totalisht të papranueshme zëvendëskryeministren Balluku.

Sa më keq të shkojnë gjërat në qeverisjen e Ramës, sa më shumë të dobësohet besueshmëria, sa më shumë skandale të bien mbi qeverinë Rama, aq më e fortë do të bëhet përpjekja për të mbijetuar duke rritur keqqeverisjen, korrupsionin, kontrollin mbi institucionet, bashkëpunimin me njerëz të krimit të organizuardhe bizneset klienteliste. Kjo është një rrugë pa krye dhe përfundimin nuk mund ta ketë të mirë. Rama, ndoshta, është ende në kohë të shmangë këtë rrugë.

spot_img

Latest articles

Related articles