Në datën 27 prill 2026, Këshilli Komëtar i Territorit dhe Ujit, një institucion në varësi direkte të kryeministrit Edi Rama, ka zbardhur një tjetër leje tepër të dyshimtë, ku përfitues janë sërish eksponentë brenda Partisë Socialiste.
Mazhoranca aktuale po përdor një skemë të mirëfilltë përfitimi, ku vëllezërit apo njerëzit e afërt të tyre, nëpërmjet firmave në pronësi apo të bashkëpunëtorëve, po arrijnë që të përfitojnë leje, tendera apo edhe pronë publike.
Ende pa u tharë “boja” e firmës së krerëve të shtetit për një leje pallati 16 kate për djalin dhe dhëndërrin e Ilir Xhakollit, kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, ja ku vjen një tjetër leje brenda mazhorancës, ku kësaj herë përfitues është vëllai i kryetarit të Bashkisë së Tepelenës dhe ortaku i vëllait të ministrit të Mbrojtjes. Sërish dy eksponentë të PS-së, Gramos Sako dhe Ermal Nufi, me influencë tepër të madhe në parti, kanë përfituar, ndërsa sërish tepër e dyshimtë mbetet mos reagimi i Partisë Demokratike për gjithë këto vendime.
Kryeministri Rama dhe ministri Karakaçi i kanë dhënë lejen në datën 27 prill 2026 firmës 2T dhe Be – Is, për ndërtimin e një leje të stërmadhe ndërtimi e lartë 27 kate.
2T ka si pronar më letra Artan Sakon, vëllain e Gramos Sakos, ish komandant i Gardës së Republikës, dhe aktualisht kryetar i Bashkisë së Tepelenës. Ortaku tjetër i 2T-së është Dritan Troksi, një shok fëmijërie i Artanit.
Ndërkohë, pronar i kompanisë Be – Is është Hamz Islamajn, i cili para se ti futej kullave, ka marrë dhjetëra miliona euro tendera nga disa institucione, kryesisht nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Një rol tepër aktiv në këtë leje ka pasur edhe Ermal Nufi, ministër i Mbrojtjes,.ish asistent i Belinda Ballukut.
Të dy, si Gramos Sako ashtu edhe Ermal Nufi, dalin në këtë leje nëpërmjet vëllezërve. Edmir Nufi, vëllai i Ermalit, është ortak me Hamz Islamajn, në firmën “Maritime Logistics”.





