Thinking Machines Lab, startup-i i inteligjencës artificiale i themeluar nga ish-drejtoresha teknologjike e OpenAI, Mira Murati, po punon mbi një model të ri IA që synon ta bëjë komunikimin mes njeriut dhe teknologjisë më natyral dhe në kohë reale.
Sipas TechCrunch, kompania ka prezantuar modelin eksperimental “TML-Interaction-Small”, i cili mund të përpunojë fjalën e përdoruesit dhe të gjenerojë përgjigje njëkohësisht, duke krijuar një bashkëbisedim që i ngjan më shumë një telefonate sesa një komunikimi klasik me chatbot.
Teknologjia përdor sistemin e quajtur “full duplex”, ku modeli dëgjon dhe përgjigjet në të njëjtën kohë. Thinking Machines Lab pretendon se modeli arrin të reagojë brenda 0.40 sekondash, një ritëm i krahasueshëm me bisedat normale njerëzore dhe më i shpejtë se modelet aktuale të OpenAI dhe Google.
Sipas kompanisë, modeli është ende në fazë kërkimore dhe nuk është i disponueshëm për publikun, ndërsa një version testues pritet të lançohet në muajt e ardhshëm.



