Dua Lipa ka ngritur padi ndaj kompanisë Samsung Electronics, duke kërkuar të paktën 15 milionë dollarë dëmshpërblim, me pretendimin se imazhi i saj është përdorur pa leje në fushata marketingu për televizorë.
Sipas padisë së dorëzuar në gjykatën federale në Kaliforni, kompania teknologjike ka përdorur një fotografi të këngëtares në paketimin e kutive të televizorëve të shitur në treg, duke krijuar përshtypjen se ajo e mbështet produktin.
Fotografia në fjalë, e titulluar “Dua Lipa – Backstage at Austin City Limits, 2024”, pretendohet se është pronë e plotë e artistes dhe është përdorur pa autorizim.
Ekipi ligjor i këngëtares argumenton se ky veprim ka shkelur të drejtat e saj të imazhit dhe ka dëmtuar markën personale të Dua Lipa, duke i dhënë konsumatorëve përshtypjen e gabuar se ajo ka miratuar produktin.
Në dokumentet e gjykatës janë përfshirë edhe pamje nga rrjetet sociale, ku disa përdorues kanë komentuar se do ta blinin televizorin “vetëm sepse Dua është në të”, gjë që sipas avokatëve tregon ndikimin komercial të imazhit të saj.
Sipas padisë, këngëtarja ka kërkuar më parë që Samsung Electronics të ndalojë përdorimin e imazhit të saj, por kompania ka vijuar ta përdorë atë. Nga ana tjetër, Samsung ka refuzuar të komentojë për shkak se çështja është ende në proces gjyqësor.



