Nëse i marrim si të vërteta të gjitha akuzat që qarkullojnë prej vitesh për Ergys Agasin, lidhje me call centerat mashtrues, pastrim parash në ndërtim, baste, trafik droge, ndërmjetësim me botën e krimit, shantazh seksual ndaj figurave të larta dhe përdorim të strukturave informale për kontroll politik, atëherë pyetja nuk është më kush është Agasi. Pyetja bëhet: Si është e mundur që një figurë e tillë të ketë vepruar për vite brenda sistemit pa mbështetje politike? Pikërisht këtu fillon roli i çuditshëm i disa “kritikëve” të tij.
Pse Goxhaj dhe Meksi bëhen tampon politik për Ramën?
Avokati njohur Altin Goxhaj e përshkruan si agjent turk. Biznesmeni i sukseshëm, pronar tv, Endri Meksi si mashtrues patologjik që manipulonte të gjithë, madje edhe kriminelët. Por të dy, në mënyra të ndryshme, prodhojnë të njëjtin efekt politik: Shkëpusin përgjegjësinë nga Edi Rama dhe e transferojnë tek figura e “sekserit të oborrit”. Pra, krijojnë idenë se problemi ishte njeriu informal, jo struktura që e lejoi, e mbrojti dhe e përdori. Edhe nëse do të ishte realisht agjent i huaj, metodat për të cilat akuzohet, përdorimi i kompromentimit seksual, ndërthurja me krimin, rrjetet informale të besnikërisë dhe ndërmjetësimi paralel i pushtetit, i ngjajnë më shumë modus operandive të shërbimeve të Lindjes së Mesme sesa modelit klasik burokratik të shërbimeve turke ose dhe europiane më gjërë.
Kjo është arsyeja pse Agasi bëhet figurë kyçe për të kuptuar mënyrën si funksionon pushteti informal në Shqipëri. Nëse ai paraqitet si “mashtrues i vetëm”, atëherë Rama del si lider i manipuluar nga një figurë në hije. Nëse paraqitet si “agjent i huaj”, atëherë përgjegjësia zhvendoset tek influencat e jashtme dhe jo tek sistemi i brendshëm politik. Në të dy rastet krijohet një tampon politik: Agasi thith të gjithë errësirën, ndërsa qendra formale e pushtetit mbetet relativisht e pastër. Por historia e regjimeve hibride na tregon të kundërtën. Figura si Agasi zakonisht nuk lindin jashtë sistemit. Ato janë produkt i tij. Janë nyje lidhëse mes politikës, biznesit formal dhe jo-nformal, krimit dhe shërbimeve të fshehta. Dhe kur një sistem fillon të sakrifikojë ndërmjetësit e vet për të mbrojtur qendrën, zakonisht kjo do të thotë se frika nuk është më tek skandali. Është tek zinxhiri i pushtetit që skandali mund të zbulojë.



