Ish-ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, ka komentuar gjendjen dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke theksuar se ato duhej të ishin më të organizuara dhe më të afta se sa janë aktualisht.
Duke folur në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Demiraj u ndal te drejtimi i Shtabit të Përgjithshëm ndër vite, duke vlerësuar ndryshimet e fundit NGA Arben Kingji.
Megjithatë Demiraj vë në dukje se Shqipëria do duhej të integronte strukturat me vende të tjera të Ballkanit, në një kohë kur Serbia ka struktura shumë të organizuara, ka mbështetjen e Rusisë, Kinës dhe Izraelit.
“Forcat e Armatosura të Shqipërisë do duhet të ishin shumë herë më të organizuara dhe më të afta se sa sot. Kemi prej 3-4 vitesh, tashmë ka hyrë në mandatin e dytë shef i shtabit të përgjithshëm, një koleg i imi…Kanë qenë dy-tre shefa shtabesh të përgjithshëm që s’kanë ngulur një gozhdë. Ai që ka bërë dallim dhe ndryshim radikal është Arben Kingji, ndoshta edhe falë mbështetjes më të madhe të qeverisë shqiptare. FA-të kanë një plan të qartë, profesionist, krijimin e strukturave të ndryshme që janë në fazat e mesme. Sigurisht kërkojnë kohë dhe para, por sot buxheti është relativisht shumë i lartë në krahasim me buxhetet e kaluara, dhe me menaxhim profesional, mund të ngrihen kapacitete modeste. Kapacitetet tona në rast se do integroheshin me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Kroacinë, do krijonin një forcë, që do projektonte një fuqi më shumë se sa modeste në Ballkanin Perëndimor përballë një Serbie që ka struktura shumë të organizuara dhe është me mbështetjen e drejtpërdrejtë të Federatës Ruse, jo vetëm ushtarake, financiare të Kinës, së fundmi edhe nga Izraeli”, tha Demiraj.



