nga Igli Çelmeta
Media, mos publikoni pamjet e aksidentit tragjik në Durrës. Janë fëmijë, mos i shtoni më dhimbjen familjeve me ato pamje. Fshijini sa më parë!
Sot në Durrës, dy fëmijë, duke qëndruar në trotuar në atë hapësirën e vogël që u ka mbetur, pasi edhe fushat ku të luajnë nuk i kanë më, iu mor jeta në mënyrë tragjike. Shoku i tyre tjetër po lufton për jetën në spital. Është një ngjarje shumë e rëndë, tronditëse. Dy fëmijë nuk jetojnë më. Dhe ende na vrasin në shpirt ulërimat e njerëzve që e panë aksidentin me sytë e tyre, britmat e atyre që u gjendën aty në sekondat e tmerrit, momentet kur gjithçka u kthye në panik dhe dhimbje.
Jemi të tronditur, të mpirë nga kjo që ndodhi. Dy jetë të pafajshme u shuan në një çast, në vendin ku duhet të ishin më të sigurtit. Dhe sot shteti duhet të japë një përgjigje që nuk është thjesht fjalë. Çfarë do t’u thotë prindërve të këtyre fëmijëve? Si mund t’u shpjegohet një boshllëk i tillë që nuk mbushet më kurrë? Çfarë fjalësh mund të justifikojnë mungesën e sigurisë, mungesën e kontrollit, mungesën e shtetit në rrugë?
Është dhimbje që nuk kalon dhe plagë që mbetet hapur në çdo familje që e dëgjoi këtë lajm.
Për sigurinë rrugore, çdo ditë policia nxjerr video me muzikë, sikur po realizon filma, që po vendosen gjoba me dronë, ndërkohë që aksidentet me vdekje po bëjnë kërdinë në rrugët e këtij vendi.
Thirrini mendjes. Policia nuk është studio grafike për të bërë video reklame, policia duhet të flasë me fakte dhe shifra. Nxirrini patrullat e policisë në rrugë, në çdo aks rrugor. Jo vetëm që nuk duheshin hequr patrullat, por duheshin dyfishuar në çdo rrugë problematike dhe në çdo aks ku drejtuesit e mjeteve ecin me shpejtësi dhe pa kontroll.
Dilni në rrugë, bëni teste alkooli për drejtuesit e mjeteve çdo ditë, madje pa ndërprerje. Mos dilni vetëm për të vendosur gjoba parkimi. Vendosni gjoba për tejkalim shpejtësie, për mosrespektim të këmbësorëve, për sjellje që rrezikojnë jetën e njerëzve. Nuk vendoset rendi vetëm me gjoba parkimi.
Policia del dhe nxjerr shifra që janë vendosur kaq gjoba. Po çfarë gjobash? 70% gjoba parkimi. Ndërkohë duhen kapur shoferët kamikazë, ata që sillen si monstra në rrugë dhe që po marrin jetë të pafajshme, si ai që shtypi tre fëmijë në Durrës. Ky kamikaz i dehur në timon, burgun e ka pak, ai meriton të varet mes Durrësit.
Shoqëria jonë nuk ka ende atë mentalitet që të edukohet vetëm me teknologji, sikur mjafton një dron apo një radar për të ndalur shkeljet. Ne jemi shoqëri ku ende ka drejtues mjetesh që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor. Dhe këta nuk ndalen vetëm me kamera. Këta, nëse nuk e shohin policinë fizikisht, nëse nuk ndiejnë kontroll dhe prani reale në rrugë, nuk frikësohen dhe nuk ndryshojnë sjellje.
Nga 10 prilli kur u hoqën patrullat në akset kryesore deri më sot, më 3 maj, janë shënuar në total 20 viktima dhe rreth 100 të plagosur nga aksidentet. Çdo ditë ka aksidente, sepse kamikazët në timon ecin pa frikë se i ndalon policia. Çdo ditë humbin jetë. Kjo nuk është më statistikë. Është tragjedi e përditshme.
Merrni masa, shtoni policinë rrugore!



