I ftuar në studion e Ora News, analisti Lavdrim Lita ka komentuar situatën e brendshme në Partinë Demokratike, duke folur për mënyrën e funksionimit të saj dhe rezultatet në proceset zgjedhore brenda partisë
Ai u ndal te primaret dhe garat e brendshme, duke thënë se drejtuesit aktualë të qarqeve dhe disa prej figurave të njohura nuk do të kishin mbështetje të lartë nëse do të përballeshin në një garë të hapur me kandidatë nga baza.
“Po t’i lësh në garë të lirë drejtuesit e qarqeve, nuk fitojnë mandatin. Nuk fitojnë postin.”-tha Lita.
Sipas tij, në disa raste, emra të njohur të PD-së do të merrnin rezultate të ulëta nëse do të kandidonin në zona të ndryshme të vendit, përballë kandidatëve të rinj.
“Këtu nuk ka garë reale. Nuk dinë të fitojnë, edhe brenda vetes së tyre.”-shtoi analisti.
Ai shtoi se mungesa e një procesi të rregullt të brendshëm ka ndikuar në dobësimin e besimit dhe funksionimit të partisë, duke sjellë përplasje dhe mungesë stabiliteti në strukturat e saj.
Analisti përmendi edhe raste tensioni brenda degëve lokale, duke e cilësuar situatën si tregues të problemeve të brendshme që zvarriten prej vitesh.



