Sipas New York Times, pas vrasjes së Ali Khameneit, Irani nuk drejtohet më nga një figurë e vetme me pushtet absolut, por nga një lloj drejtimi kolektiv ku rolin kryesor e kanë gjeneralët e Gardës Revolucionare. Edhe pse Mojtaba Khamenei është emëruar lideri i ri suprem, ai nuk po e ushtron autoritetin si i ati. I plagosur rëndë nga bombardimet amerikano-izraelite dhe i izoluar për arsye sigurie, ai ka deleguar për momentin vendimmarrjen te komandantët ushtarakë, të cilët po dominojnë çështjet e luftës, sigurisë dhe diplomacisë.
Thelbi i ndryshimit është ky, pushteti real në Iran po zhvendoset nga kleri te struktura e fortë ushtarake e Gardës Revolucionare. Sipas burimeve të gazetës, Mojtaba Khamenei është më shumë një figurë që miraton vendimet sesa njeriu që i dikton ato. Gjeneralët e Gardës kanë marrë kontrollin e strategjisë ushtarake, të mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, të armëpushimit të përkohshëm me SHBA-në dhe të negociatave direkte me amerikanët në Islamabad. Madje, për herë të parë, disa gjeneralë morën pjesë vetë në delegacionin iranian në bisedimet me SHBA-në.
Kjo forcim i Gardës Revolucionare lidhet edhe me marrëdhëniet personale që Mojtaba Khamenei ka me ta. Ai ka luftuar si i ri në luftën Iran-Irak në të njëjtën brigadë me figura që sot janë në majë të komandës ushtarake dhe të inteligjencës. Këto lidhje janë forcuar më vonë, kur ai punonte në kompleksin e të atit duke koordinuar çështje ushtarake dhe të sigurisë. Sipas njerëzve që e njohin, ai dhe disa nga komandantët e fuqishëm e shohin njëri-tjetrin më shumë si partnerë sesa si epror dhe vartës.
Megjithatë, NYT vëren se në sistemin iranian nuk mungojnë përplasjet e brendshme. Presidenti Pezeshkian dhe ministri i Jashtëm Araghchi vazhdojnë të jenë pjesë e diskutimeve, por në këtë fazë gjeneralët po fitojnë pothuajse gjithmonë. Shembulli më i qartë ishte raundi i dytë i negociatave me SHBA-në: ndërsa qeveria civile donte që bisedimet të vazhdonin për shkak të kostos së madhe ekonomike të luftës, gjeneralët vendosën t’i ndërprisnin, duke argumentuar se bllokada detare amerikane tregonte se Trump nuk kërkonte marrëveshje, por dorëzim.
Pra sipas NYT, Republika Islamike nuk është rrëzuar, siç pretendon Trump, por është futur në një fazë të re: më pak e kontrolluar nga kleri dhe më shumë nga një elitë ushtarake e ashpër, që e sheh luftën dhe negociatat si pjesë të së njëjtës betejë për mbijetesën e regjimit. Pyetja tani është nëse kjo strukturë e re do të lejojë lëshime të mjaftueshme për një marrëveshje me SHBA-në, apo do ta shtyjë Iranin drejt një faze edhe më të rrezikshme për rajonin.



