Taksa që paguajmë dy herë: nga karburanti tek buka e gojës

spot_img
Advertisements

Rildo Ngjela

Deri më sot, diskutimi i rritjes së çmimit të karburantit ka qenë i paplotë. Përmenden çmimet globale, kurset e këmbimit, lufta në Iran dhe Ukrainë, importet, Bordi i Transparencës që vendos tavanin e përditshëm, etj. Ndërkohë, harrojmë një të vërtetë thelbësore: Ne nuk paguajmë karburantin vetëm kur mbushim serbatorin e makinës. Ne e paguajmë përsëri karburantin tek çmimi i bukës, ujit, qumështit, fruta-perimeve, ilaçeve, transportit, materialeve të ndërtimit dhe pothuajse çdo produkti tjetër që na vjen përmes detit, tokës dhe ajrit.
Kjo është arsyeja pse taksa e qarkullimit në Shqipëri nuk mund të konsiderohet më si taksë transporti. Ajo është kthyer në një taksë mbi jetën tonë të përditshme.
Sot, çdo litër karburant, përpara se të arrijë te konsumatori, mbart në vetvete një barrë të rëndë tatimore. Duke filluar nga taksa e qarkullimit, tek akciza, taksa e karbonit dhe më pas TVSH-ja që aplikohet mbi një bazë të taksueshme, që tashmë përfshin këto kosto. Pagesa e parë e taksës së qarkullimit është e drejtpërdrejtë sa herë që furnizohemi me karburant. Deri këtu në rregull. Pastaj e paguajmë përsëri, por këtë herë në mënyrë të heshtur dhe me pasoja, madje më tepër për ata që nuk kanë një automjet, siç janë pensionistët.
Furra bukës paguan taksë qarkullimi mbi miellin. Fermeri paguan taksë qarkullimi mbi prodhimet e veta. Farmacia paguan taksë qarkullimi mbi ilaçet. Marketet dhe dyqanet paguajnë taksë qarkullimi mbi mallrat e konsumit. Kompanitë e ndërtimit paguajnë taksë qarkullimi mbi çdo material. Në fund, çdo kosto e shtuar paguhet nga ne.
E njëjta familje që paguan taksë qarkullimi te pompa e karburantit, e paguan përsëri atë në supermarket. Por, përsëri ky nuk është “taksim i dyfishtë” në kuptimin ligjor. Kjo është një barrë ekonomike e dyfishtë.
Në një vend si Shqipëria, ku transporti tokësor dominon tregëtinë e brendshme, taksimi i rëndë i karburantit përkthehet në taksim të qarkullimit ekonomik. Karburanti nuk është një input luksi. Është mekanizmi kryesor që lëviz ushqimin, ilaçet, punëtorët, mallrat dhe shërbimet. Pra, kur karburanti tatohet në mënyrë agresive, pasojat nuk ndalen tek shoferët. Ato gradualisht dhe në heshjte përhapen në inflacion.
Në këtë moment ngrihet pyetja: Ku është mbrojtja e konsumatorit?
Institucionet e mbrojtjes së konsumatorit, që jemi të paqartë se cilat janë, pritet të mbrojnë interesat ekonomike të qytetarëve. Mëgjithatë, për një nga faktorët më të dukshëm dhe të dhimbshëm të kostos në buxhetet familjare, përgjigja ka qenë e dobët dhe e fragmentuar. Asnjë qartësi, asnjë transparencë, asnjë kontroll, asnjë raport. Deri më sot, konsumatori është lënë deri në pikën që ka filluar të ankohet vetëm pasi çmimet rriten, në vend që të mbrohet përpara se barra të shumëfishohet.
Problemi nuk është nëse shteti ka apo jo të drejtë të taksojë karburantin. Çdo shtet e takson karburantin. Çështja është nëse shteti shqiptar mund të justifikojë mbajtjen e një barre të ngurtë tatimore mbi karburantin, ndërsa qytetarët e paguajnë dy herë atë kosto: një herë drejtpërdrejt dhe një herë tërthorazi.
Në këtë pikë është e mundur të merren disa masa.
Së pari, autoritetet duhet të rishikojnë taksën e qarkullimit dhe të prezantojnë një mekanizëm më fleksibël. Kur çmimet globale të karburantit rriten përtej një pragu të caktuar, jo vetëm të ulet një pjesë taksës së akcizës, por të pezullohet përkohësisht edhe një nga taksat e tjera. Në këtë rast mund të pezullohet taksa e qarkullimit 27 lekë/litër dhe bashkë me përgjysmimin e akcizës nga 40 në 20 lekë/litër, të bëjnë një ulje prej 47 lekë/litër. Në këtë skenar, çmimi maksimal, konkretisht i naftës, do të qëndronte në një nivel maksimal prej 200 lekë/litër, për aq sa kemi parë deri tani nga pasojat e krizës.
Së dyti, qeveria duhet të synojë lehtësimin për sektorët që ndikojnë drejtpërdrejt në kostot e familjeve, siç janë logjistika ushqimore, transporti publik, shpërndarja e produkteve bujqësore dhe zinxhirit të furnizimit me ilaçe.
Së treti, qytetarët meritojnë transparencë të plotë. Çdo javë, autoritetet duhet të publikojnë një ndarje të qartë të çmimeve të karburantit si kosto e importit, akciza, taksa e qarkullimit, taksa e karbonit, TVSH-ja, marzhi me shumicë dhe marzhi me pakicë.
Së katërti, institucionet e mbrojtjes së konsumatorit, të cilat po e përsëris, nuk e dimë se kush janë, duhet të masin dhe publikojnë se si taksimi i karburantit ndikon në çmimin e mallrave thelbësore që sigurojnë jetesën. Nëse taksimi i karburantit rrit koston e bukës dhe qumështit, qytetarët kanë të drejtë të dinë se me sa. Ndërsa për këto institucione ky është detyrim ligjor.
Aktualisht, nuk po paguajmë thjesht për karburantin. Ne po financojmë një sistem tatimor, i cili po na përndjek nga pompa e benzinës, deri tek tavolina e bukës.

spot_img

Latest articles

Related articles