nga Mero Baze
Disa vite më parë, në Gjirokastër, pas ngjarjeve të vitit 1997, ishte një person me probleme mendore që zinte qafën e Pazarit, futej nëpër lokale dhe kishte gjetur një metodë se si të pinte birra falas. Duke qenë se njihej si i çmendur dhe mund të thoshte ç’të donte, i afrohej dikujt në tavolinë dhe e “shantazhonte”, herë duke thënë: “më jep një birrë se do them që filanin e vrave ti”, ose “më jep një birrë, ose do mbush Gjirokastrën që ke dashnore filanen”. Disa herë e rrihnin, por në shumicën e rasteve, duke e marrë për budalla, i jepnin ndonjë birrë duke qeshur dhe kështu e shtynte.
Një ditë e teproi dhe bëri të kundërtën. I shkoi dikujt dhe i tha: “më jep edhe një tjetër, ose do them që gruan tënde e ka dashnor filani”. Aty e rrahën dhe pas disa ditësh nuk u gjend më.
Halla e tij, një labe e njohur për vajtore, e qau ditën e varrimit: “Cano, ike e na le, na fute kokën në dhe, po ç’t’u desh more mavri, kush u vra e kush u q…”.
Në fakt, ai ishte nga rastet e pakta të vrasjes së një personi që nuk përjetohej si tragjedi, por si komedi, për shkak të ndëshkimit absurd që e kishte çuar deri aty.
Tani në sokakët e Gjirokastrës është shfaqur një Cano tjetër, por ndryshe nga i pari, që ishte i sëmurë mendërisht, ky është nga ata që i ka “dhënë” trutë Sali Berisha dhe e lëshon rrugëve të qytetit.
Dhe ky, meqë e quan bashkinë armike, ka zbuluar se 18 gra bashkë me kryetarin janë me SIDA.
Deri këtu jemi në nivelin e Canos së parë, që për një gotë birrë shpikte histori me seks dhe me vrasje.
Nëse Flamur Golemi do kishte pak sens humori, kjo shpikje mund të kthehej në një argëtim kombëtar. Ai mund të ripostonte këto rekomandimet për vibratorë, apo t’i kërkonte Tritanit t’i qëndronte afër në orët e fundit si anestezist. Por nuk ka receta të gatshme në momente të tilla.
Edhe pse është tejet e ulët dhe linçuese, pasi prek si shpifje një grup punonjësish bashkie, në këto raste gjëja më e gabuar është serioziteti i përgjigjes ndaj një të sëmuri që mendon se do vijë në pushtet duke shpikur SIDA-n.
Për këta lloj të sëmurësh shteti ka vende ku mbyllen, ndërsa nxitësit e tyre duhen ekspozuar publikisht, njësoj si përdhunuesit.
I pari në listë është Sali Berisha, pastaj gjithë ata të ashtuquajtur gazetarë që shpërndajnë lajme të sajuara përmes një të çmenduri. Emrat dhe portretet e tyre duhet të ishin bërë viralë si përdhunues të jetës së një qyteti.
Sepse këtu nuk jemi në kushtet e Canos, që ishte i çmendur dhe e bënte për një gotë birrë. Këtu jemi përpara një të sëmuri nga trutë që Sali Berisha e lëshon rrugëve të qytetit si armë të fundit politike për të prodhuar histori të tilla.



