Misioni Artemis II i NASA-s ka nisur zyrtarisht. Katër astronautë janë nisur drejt Hënës për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli.
Raketa “Space Launch System” (SLS) u ndez në Qendrën Hapësinore Kennedy duke transportuar ekuipazhin brenda anijes kozmike Orion.
Ky mision shënon fluturimin e parë të NASA-s me ekuipazh përtej orbitës së Tokës që nga viti 1972 dhe përfaqëson një hap madhor drejt rikthimit të njerëzve në sipërfaqen hënërore.
Në bord të anijes kozmike ndodhen komandanti Reid Wiseman, piloti Victor Glover dhe specialistët e misionit Christina Koch dhe Jeremy Hansen.
Gjatë misionit 10-ditor, ekuipazhi do të udhëtojë rreth Hënës pa u ulur në të, përpara se të kthehet në Tokë.
Ky udhëtim do të shërbejë për të testuar sistemet kritike të nevojshme për misionet e ardhshme në Hënë, në vitin 2028.
Katër astronautët do ta realizojnë këtë fluturim në një kapsulë me përmasat e një autobusi të vogël, duke shënuar distancën më të largët nga Toka të arritur ndonjëherë nga njerëzit.



