nga Fitim Zekthi
Ne Shqipëri politikanët dhe partitë kanë shpikur një teori të re politike, të padëgjuar askund dhe të përmendur ndonjëherë nga ndonjë studiues apo politikan në botë deri më sot. Teoria është: “nuk iki se kam vota”.
Së pari, demokracia është gjetur si një mënyrë për të ikur, për ta lënë pushtetin apo të qenit kryetar, jo si një mënyrë për ta mbajtur. Po të ishte ndryshe, De Gaulle apo Adenauer, Merkel apo Aznar, Kohl apo Jospin etj. do të vdisnin kryetarë partish.
Së dyti, parimi bazë i vërtetuar pa ndalur prej dekadash është se të qëndruarit gjatë në detyrë në një vend ose parti me demokraci është i pamundur. Edhe po të jesh një lider dhe njeri i mrekullueshëm, edhe po të jesh një njeri me cilësi të rralla në mbrojtje të lirisë, nuk rri dot gjatë. Vetëm në 15 vitet e fundit në Angli janë ndërruar 6 kryeministra dhe rreth dhjetë kryetarë partie, në Itali janë ndërruar 7 kryeministra dhe mbi 8 kryetarë partie opozitare, në Austri janë ndërruar 6 kryeministra dhe 6 kryetarë partie opozitare, në Japoni 7 kryeministra dhe 8 kryetarë partie opozitare etj.
Në Shqipëri rrinë me dekada, madje deri afër gjysmë shekulli. Po të ishte Shqipëria një vend tmerrësisht demokratik, mund të thonim që këta rrinë sepse janë liderë të mrekullueshëm dhe populli i do dhe i zgjedh. Shqipëria është një vend tmerrësisht i korruptuar.
Atëherë, të qëndruarit gjatë lidhet vetëm me përdorimin e mekanizmave që ofron ky korrupsion: me shitje dhe blerje, me sharje dhe shantazhe, me kërcënime dhe shpëlarje truri të pjesëve militante të anëtarësive. Kështu që kjo teoria e “pasurit të votave” është një shpikje e rëndomtë dhe qesharake dhe nuk ka të bëjë fare, po fare ama, me demokracinë.



