25 vite në uniformë| Hita i trajnuar nga FBI, drejtor në 5 qarqet me kriminalitet të lartë

spot_img
Advertisements

Nga sot Skënder Hita është kryepolici i vendit. Ai do të marrë postin e lënë bosh pas dorëheqjes së Ilir Proda. Z. Hita konkuroi edhe më herët për këtë post, ndërsa në garën e dytë arriti të fitojë pikët maksimale në një listë me 14 konkurentë. Detyra e fundit e mbajtur nga z. Hita ishte ajo e kryepolicit të Fierit, ndërsa me vendimin e qeverisë ai është përzgjedhur drejtues madhor. Ai ka drejtuar policinë e Dibrës, Shkodrës, Durrësit, Fierit, si dhe ka qenë numri dy i policisë së Elbasanit, Tiranës, Lezhës dhe Gjirokastrës.

Profili dhe karriera e kryepolicit

Skënder Hita është 45 vjeç, i lindur më 19 qershor 1980, me një karrierë mbi 20-vjeçare në Policinë e Shtetit. Ai është diplomuar në Akademinë e Policisë “Arben Zylyftari” si Specialist i Lartë Policie dhe së fundmi ka ndjekur programin “EU Business Law” në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës (2023–2024).

Në karrierën e tij ka përfunduar gradat më të larta policore, “Drejtues” në vitin 2014 dhe “Drejtues i Parë” në vitin 2022. Po ashtu, ka ndjekur një sërë trajnimesh ndërkombëtare, përfshirë programe nga FBI, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe partnerë evropianë, në fusha si hetimi i krimit të organizuar, trafiku i armëve dhe menaxhimi i vendit të ngjarjes.
Hita ka drejtuar disa nga drejtoritë më të rëndësishme vendore të Policisë së Shtetit. Aktualisht është Drejtor i Policisë Fier (2024–në vijim), ndërsa më herët ka mbajtur të njëjtin post në Durrës (2022–2024), Dibër (2021–2022) dhe Shkodër (2021).

Gjatë karrierës së tij ka shërbyer edhe si zëvendësdrejtor në disa qarqe, përfshirë Gjirokastër, Shkodër, Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, kryesisht në sektorin e hetimit të krimeve dhe krimit të organizuar. Karriera e tij ka nisur nga nivelet bazë si inspektor dhe specialist në komisariatet e Tiranës, për të vijuar më pas si shef sektorësh në luftën kundër krimit të organizuar, narkotikëve dhe krimit financiar.

Me një eksperiencë të gjatë në strukturat hetimore dhe drejtuese, ai konsiderohet një nga drejtuesit me profil të konsoliduar brenda radhëve të Policisë së Shtetit.

spot_img

Latest articles

Related articles