Episodi i parë u shënua teksa drejtoresha e Kadastrës po i shpjegonte deputetes së Vlorës, Zamira Sinaj, mbi një pyetje që kjo e fundit i bëri. Në shpjegim i sipër drejtoresha Lorena Goxhobelli i kërkoi deputetes që ta dëgjonte deri në fund e të mos e ndërpriste.
Kaq ka mjaftuar që Elisa Spiropali të ndërhynte si e preokupuar e madhe e t’i kujtonte drejtoreshës së ASHK, që të tregonte respekt për deputetët. “Pak më shumë respekt për deputetët, mos na fol ashtu se jemi deputetë”, mësohet të ketë thënë Spiropali.
Në këtë moment ka ndërhyrë menjëherë Edi Rama duke iu drejtuar ashpër Elisa Spiropalit. “Ti mos e hap gojën fare, po fare. Sidomos në prezencën time”, i është drejtuar ai, mëson Lapsi.al
Në një episod të dytë, përplasja ishte edhe më e fortë. Teksa ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, nisi të raportonte dhe të fliste për strategjinë e komunikimit, Elisa Spiropali bënte mimika dhe qeshte.
Ismaili e ka parë dhe i ka reaguar direkt, duke i thënë “zonja Spiropali s’ke pse qesh…”
Elisa ka bërë të paditurën duke pretenduar se në fakt ajo po qeshte me dicka që po shihte në celularin e saj dhe jo me fjalët e ministres së re të Ramës, e cila u promovua totalisht nga hici. Spiropali është ndjerë e fyer nga Erjona Ismaili për mënyrën si ju drejtua dhe i tha asaj që t’i kërkonte falje. Në këtë moment ndërhyri Edi Rama.
“Qepe gojën, mos më bëj të të nxjerr jashtë, se unë t’i them gjërate dhe në publik, e di ti..”, iu drejtua Rama-Spiropalit.
“Prandaj kam ardhur këtu, të m’i thuash në publik. Thuaju këtyre të rejave që ke marrë, të më kërkojnë falje”, iu drejtua Spiropali-Ramës.
“Nuk ndërhyn dot kur flet Erjona. Mos më provoko më tepër, se do të të nxjerr jashtë…”, ishte reagimi tjetër i ashpër i Ramës ndaj Mamicës, e cila na karrierën e saj vetëm sa e ka veneruar gjithmonë dhe krahasuar madje me Skënderbeun.
Episodi i tretë: Rama iu kthye Damian Gjiknurit, të cilin e akuzoi se përgjon e nxjerr biseda me telefonin e tij, duke iu drejtuar me fjalët: “Fik telefonin se e ke zakon që regjistron dhe i nxjerr gjërat që regjistron”.
Episodi i katërt. Ndërsa ish-ministrit Ervin Hoxha i tha: “Po ti do vazhdosh akoma të bësh llafazllëqe nëpër tavolina komisariatesh?”
Episodi i pestë nuk ka ndodhur. Niko Peleshi ka qepur gojën.



