Sa na do Franca neve?! – REDAKSIONALE

spot_img
Advertisements

Sa herë ndodh diçka në këtë vend, ne presim reagimin e madh nga Parisi. Dhe ja ku erdhi. Ambasada Franceze u shpreh e revoltuar për sulmin ndaj shtëpisë së Pol Potit Ballkanik, ish-studentit të Universitetit të Marsejës, Enver Hoxhës. Ah, sa na do Franca neve!

Vendi që ka pranuar me pikatore refugjatë ekonomikë shqiptarë, por që për vite me radhë ka mirëpritur me protokoll të plotë udhëheqjen tonë gjakatare për shopping, kura mjekësore dhe pushime të qeta diplomatike. Nëse Enver “Pol Pot” Hoxha jetoi aq gjatë, duhet ta pranojmë me “mirënjohje”: mjekësia franceze ka kontributin e saj në këtë maratonë historike të diktatorit më jetëgjatë të Ballkanit.

Franca na ka dhënë shumë. Ka shkolluar Sali Berishën. Ka formuar Edi Ramën. Madje na bëri edhe me Avokat Populli, apo jo znj. Ambasadore? Ka edukuar breza ministrash dhe administratorësh publikë që më pas u dalluan për kreativitet të jashtëzakonshëm në zhdukjen e fondeve publike. Çfarë laboratori i shkëlqyer për eksport elitesh!

Ah, sa na do Franca neve!

Asnjë fjalë kur në Shqipëri vidhen, dhunohen e poshtërohen qytetarët nga frankofilët me kostum të qepur në Paris. Asnjë deklaratë e fortë për korrupsionin kronik, për drejtësinë selektive, për emigracionin masiv që zbraz qytetet tona. Asnjë mesazh i ngrohtë për popullin shqiptar në rrugën e gjatë të integrimit evropian, përveç ndonjë “vlerësojmë progresin” të përtypur me kujdes diplomatik.

Por sa shumë fjali të rënda për disa fishekzjarre mbi shtëpinë e Satanit të Ballkanit, Enver “Pol Pot” Hoxha. Aty zemra demokratike e Republikës u drodh. Aty u kujtuan standardet, memoria historike dhe shqetësimi institucional.

Sa na do Franca neve!
Sidomos kur bëhet fjalë për muret e diktatorëve. Për njerëzit, do ta shohim në komunikatën e radhës.

spot_img

Latest articles

Related articles